Emery: Ozili duhet të luajë kështu në çdo ndeshje

Prishtinë | 23 Tet 2018 | 12:15 | Nga Ekonomia Online

Trajneri i Arsenalit, Unai Emery, e ka lavdëruar mesfushorin gjerman të skuadrës së tij, Mesut Ozilin, për performancën e tij, megjithatë ka bërë të ditur se gjermani me origjinë turke duhet të performojë kështu në çdo ndeshje.

Ozili ishte në qendër të vëmendjes pas ndeshjes së mbrëmshme kundër Leicester Cityt, të cilën Arsenali e fitoi me rezultat 3-1. Në këtë ndeshje, Ozili e shënoi golin e parë të Arsenalin, duke e barazuar rezultatin, si dhe e asistoi golin e fundit, transmeton Gazeta Express.

Ish-lojtari i Real Madridit ishte kapiten në këtë ndeshje dhe u lavdërua për mënyrën se si e drejtoi skuadrën në fushë pas autogolit të Hector Bellerin. Goli i shënuar në këtë ndeshje e bëri Ozilin golashënuesin më të mirë gjerman në Premierligë.

“Për Mesutin ishte një performancë shumë e mirë, si dhe një fitore e mirë për të gjithë së bashku. Por, ne do të vazhdojmë të shtyjmë përpara dhe të kërkojmë nga vetja dhe nga ai që të performojmë kështu rregullisht”, ka thënë Emery.

“Është e rëndësishme që kapiteni të sillet si lider në situata të tilla [pas autogolit të Bellerinit]. Por, ne kemi shumë lojtarë brenda skuadrës që janë në gjendje dhe janë të gatshëm ta bëjnë një gjë të tillë”.

“Mendoj se Ozili mund të luajë në çdo ndeshje me po të njëjtin përkushtim dhe kualitet, pavarësisht nga shiriti i kapitenit”.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme