Erdhi dita e lojës dhe ende s’janë shitur biletat e ndeshjes Kosovë – Qipro

Prishtinë | 27 Sht 2022 | 12:02 | Nga Ekonomia Online

Dikur, Federata e Futbollit të Kosovës kishte rënë në hall të madh shkaku i biletave për ndeshjet e Kombëtares.

Kur ato shiteshin fizikisht, radhët e gjata të njerëzve shiheshin para pikave të shitjes së biletave, ndërsa një pjesë e madhe e tifozëve të interesuar për ta parë Kombëtaren e Kosovës mbeteshin jashtë stadiumit.

Më pas, as sistemi online nuk funksiononte si duhet pasi shpesh binte nga sistemi shkaku i mbingarkesës, ndërsa më pas biletat “avulloheshin”, duke i lënë kështu prapë tifozët të revoltuar.

Interesimi ishte i jashtëzakonshëm edhe kur “Dardanët” përballeshin me kundërshtarë të dobët, shkruan “Gazeta Express”.

Madje, thuhej që kishte deri në 100 mijë kërkesa për t’i parë Vedat Muriqin me shokë, në një stadium që i zë pak mbi 10 mijë njerëz.

Por, rezultatet e zbehta të kohëve të fundit kanë ndikuar edhe në (mos)interesimin e tifozëve.

Ditë më parë, shtëpia e futbollit kosovar njoftoi për daljen në shitje të biletave për ndeshjen me Qipron, e cila do ta mbyllë këtë edicion të Ligës së Kombeve.

Por, edhe sot, në ditën e ndeshjes që do të luhet në stadiumin “Fadil Vokrri”, si asnjëherë më parë për një ndeshje zyrtare, ka ende bileta në dispozicion.

Federata e Futbollit e ka nxjerrë sot një njoftim, përmes së cilit tregon se ka ende bileta në shitje në sistemin online, duke e publikuar njëherësh edhe vegëzën se ku mund të blini bileta.

FFK-ja njëherësh ju bëri thirrje tifozëve për mbështetje të Kosovës pasi tash ka nevojë më shumë se kurrë, për t’iu shmangur rënies eventuale në Ligën D.

Aktualisht Kosova është e dyta në Grupin 2 të Ligës C me 6 pikë, një më shumë se Irlanda e Veriut dhe kundërshtari i sontëm – Qipro, shkruan “Gazeta Express”.

Verdhekaltërve ju mjafton një barazim për ta siguruar statusin e anëtarit të Ligës C edhe në edicionin e ardhshëm, por ata synojnë të fitojnë në ndeshjen që do të fillojë në orën 20:45. 

Të ngjashme