Eroll Salihu zgjedhet kryetar i Komisionit të Arbitrazhit Sportiv

Prishtinë | 05 Kor 2021 | 12:49 | Nga Ekonomia Online

Komisioni i Arbitrazhit Sportiv (KAS), që vepron në kuadër të Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), ka mbajtur edhe mbledhjen e dytë, në të cilën janë zgjedhur organet drejtuese: kryetari, nënkryetari dhe sekretari për mandatin 2021 – 2024.

Kryetar është zgjedhur Eroll Salihu, i cili ka përvojë si jurist dhe në menaxhimin e organizatave sportive. Salihu është sekretar i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës dhe njëherit  anëtar i Komitetit Ligjor të UEFA-së.

Nënkryetar është zgjedhur Armend Krasniqi, ndërsa sekretare, Jehona Shyti.

Të nëntë anëtarët që e përbëjnë KAS-in, janë juristë, të cilët janë zgjedhur në Asamblenë e fundit Zgjedhore të KOK-ut, pas propozimeve të ardhura nga federatat sportive.

Në kuadër të KAS-it funksionon edhe rregullorja për procedurat e zgjidhjes së konflikteve, e miratuar në Asamblenë e Punës së KOK-ut. Funksionalizimi i KAS-it, është i rëndësishëm për federatat sportive, për klubet dhe gjithë sportin e Kosovës, sepse zgjidh të gjitha konfliktet mes federatave, klubeve dhe sportistëve.

Të ngjashme