Erxhan Osmani ëndërron të bëhet shqiptari i parë në NBA

Prishtinë | 25 Pri 2020 | 11:36 | Nga Ekonomia Online

Alo-qendra shqiptare, Erxhan Osmani (206 cm), ëndërron të jetë në mesin e basketbollistëve të draftuar në draftin 2020 të ligës më të fortë në botë NBA, që për momentin është shtyrë për shkak të përhapjes së koronavirusit në të gjithë botën.

Nëse e arrin një gjë të tillë atëherë Osmani do të jetë basketbollisti i parë shqiptar i draftuar në ligën më të fortë të basketbollit në botë.

Osmani, 21-vjeçar, vlerësohet si njëri prej basketbollistëve më perspektivë të Turqisë, vend në të cilin bën karrierë tashmë tetë vjet. Ai është pjesë e ekipit Teksut Bandirma, por luan me ekipin B që garon në kategorinë e dytë të basketbollit turk dhe është lojtari më i dalluar.

“Do të ishte diçka madhështore nëse do të isha shqiptari i parë i draftuar në NBA. Shpresoj të draftohem, pasi si fëmijë kam ëndërruar për të luajtur në këtë ligë”, ka pranuar Osmani për “Kohën”. “Do të ishte realizim i ëndrrës time nëse ia dal mbanë. Kam punuar dhe do të vazhdoj të punoj për këtë”.

Në këtë edicion, tashmë të pezulluar shkaku i pandemisë COVID-19, Osmani ka luajtur me një mesatare prej 20.7 pikëve dhe 11.4 kërcimeve për ndeshje. Ai ka 24 ndeshje kurse ekipi i tij ka regjistruar 13 fitore karshi 11 humbjeve.

Osmani me këtë ekip ka kontratë deri në vitin e ardhshëm dhe edicionin e shkuar pati minutazhë edhe me ekipin e parë që garoi në Ligën e Kampionëve, por synimet e tij janë që sa më shpejt ta vazhdojë karrierën në NBA apo ndonjë ekip më të madh të Evropës. Në fakt, Osmani tashmë ka zbuluar edhe ekipin për të cilin preferon ta draftojë në NBA. Është skuadra e Miami Heat që ka tre tituj

kampioni në NBA. Madje, shton se gjithmonë ka ëndërruar që një ditë do të arrijë të jetë pjesë e ligës më të fortë në botë. “Të draftohem në NBA? Sigurisht që është një ndjenjë fantastike dhe motivuese, pasi të gjithë basketbollistët ëndërrojnë një hap të tillë në karrierë. Shpresoj ta kem fatin që të draftohem në NBA dhe të jem pjesë e ekipit Miami Heat”, ka thënë Osmani.

Draftimin e Osmanit këtë vit në NBA e ka konfirmuar edhe klubi i tij, kurse shumë ekspertë të basketbollit në Turqi presin që ai të përzgjidhet prej ndonjë ekipi në NBA.

“Erxhan Osmani është një nga lojtarët me potencialin me të madh në Turqi. Ai do të arrijë shumë në karrierë”, ka thënë basketbollisti Ender Arslan, që ka fituar medaljen e argjendtë me Turqinë në Botërorin e vitit 2010 dhe ka shumë trofe tjerë me ekipet ku ka luajtur.

Zhvendosja në Turqi për basketboll e shkollim

Osmani ndihet i nderuar me fjalët që po dëgjon prej të tjerëve, por ai është i përqendruar në punën e tij dhe mundohet të qëndrojë me këmbë në tokë.

“Për momentin jam i fokusuar në punën dhe ekipin aktual, jo për gjërat tjera”, shtoi Osmani.

Ai pranon se këtë edicion po kalonte në një formë fantastike, të cilën ia ndërpreu përhapja e koronavirusit. Shkaku i kësaj pandemie, tashmë janë pezulluar të gjitha ligat e basketbollit në Evropë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme