Reuters: EURO 2020 është ende vetëm një ëndërr për Kosovën

Prishtinë | 21 Shk 2020 | 14:04 | Nga Ekonomia Online

Agjencia prestigjioze e lajmeve, Reuters, shkruan se pasioni i lojtarëve cilësohet shpeshherë si arsyeja për ngritjen mbresëlënëse të Kosovës në futbollin ndërkombëtar, mirëpo trajneri i këtij vendi që s’ka shumë vjet që ka shpallur pavarësinë, Bernard Challandes, thotë se meritat për këto arritje i shkojnë futbollit të mirë po aq sa krenarisë.

Vetëm më pak se katër vjet pasi u pranua si anëtare e FIFA-s, Kosova është vetëm dy ndeshje larg Kampionatit Evropian 2020, pasi ka arritur në play-offs të muajit të ardhshëm falë një ecurie mbresëlënëse kur i zhvilluan 15 ndeshje radhazi pa disfatë, përfshirë këtu fitoret kundër Republikës Çeke dhe Bullgarisë, shkruan Reuters

Stili i lojës së Kosovës – sulmi pa frikë – ka qenë po aq mbresëlënës sa rezultatet e skuadrës.

“Unë e studiova potencialin e kësaj skuadre para se ta pranoja punën dhe ishte e qartë se këta janë futbollistë të mirë”, ka thënë trajneri veteran zviceran Bernard Challandes.

“Sikur të gjithë lojtarëve të tjerë nga Ballkani, atyre u pëlqen shumë futbolli, kanë teknikë të mirë dhe janë driblues të mirë”.

Challandes tha se këto karakteristika i përshtaten plotësisht stilit të tij të lojës.

“Ky është futbolli im si trajner. Futbolli im ka qenë gjithmonë pozitiv, shumë sulmues me presion të madh dhe me rreziqe. S’ka të bëjë me estetikën, është thjesht e qartë në mendjen time se kjo më jap gjasa më të mëdha për të fituar”, tha Challandes.

Kur ai e mori drejtimin e skuadrës në vitin 2018, Challandes tha se qëllimi i tij ishte ta ndërtonte një skuadër me filozofi dhe disiplinë. Rezultati, thoshte ai, janë vetëm rezultat i atyre dyve të para.

Megjithatë, rezultatet e tejkaluan çdo pritje dhe ngritja e Kosovës në dy vjetët e fundit kanë njëra ndër historitë më të jashtëzakonshme në futbollin ndërkombëtar.

Vendi me 1.8 milionë banorë, që e shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008, dhe më në fund u pranua si anëtare në UEFA dhe FIFA në vitin 2016.

Rreth 800 mijë kosovarë jetojnë jashtë vendit dhe Challandes e ka kaluar shumicën e kohës së tij duke udhëtuar nëpër diasporë për të gjetur lojtarë potencialë dhe duke shikuar video në kërkim për të rekrutuar talente të reja, shpeshherë duke garuar me Shqipërinë, Zvicrën e Gjermanisë për t’ia fituar kartonin.

Përderisa sulmuesi Mërgim Berisha e kishte pranuar një ftesë nga Kombëtarja U-21 e Gjermanisë e disa të tjera e kanë zgjedhur Zvicrën, shumë lojtarë të tjerë kanë vendosur në favor të Kosovës. Njëri ndër të rekrutuarit më të rëndësishëm ishte Valon Berisha, i cili luajti 20 herë për Norvegjinë para se të kalonte te Kosova në vitin 2016.

Challandes thotë se i kupton pse lojtarët mund të zgjedhin të luajnë për ekipe kombëtare më të mëdha dhe thotë se nuk do t’u pengojë atyre lojtarëve në rrugën e tyre.

“Lojtarët duhet të vendosin me mendjen e futbollistit. Një lojtar modern dëshiron të luajë në Kampionat Evropian, në Kupën e Botës, në top ligat e Evropës. Zgjedhja e një Kombëtareje bëhet në atë mënyrë që t’i ndihmojë atij t’i realizojë ato ëndrra të veta dhe unë e kuptoj këtë”, tha Challandes.

Por, ai shtoi se lojtarët do të përballen me konkurrencë më të zjarrtë për vende në ekip të parë nëse e zgjedhin Zvicrën ose Gjermanisë, ndërsa zgjedhja e Kosovës u ka ndihmuar lojtarëve në karrierat e tyre me klube.

Challandes tha se historia e Kosovës bën që lojtarët ta kenë një krenari të veçantë.

“Këta lojtarë janë të uritur, i kanë familjet prapa vetes, i gjithë vendi është prapa tyre dhe ata e ndiejnë këtë. Është shumë e vështirë për kundërshtarët të luajnë në Prishtinë”, tha ai.

Por, atij s’i pëlqen ta komentojë situatën politike.

“Nuk dua të flas për këtë shumë. E di që ekziston, që shumë lojtarë u larguan nga vendi me familjet e tyre shkaku i luftës ose që kanë lindur jashtë vendit. E gjitha kjo i takon historisë. Unë dua të mendoj vetëm për futbollin”.

Ndeshja e parë e Kosovës në play-offs do të jetë si mysafire në gjysmëfinalen kundër Maqedonisë Veriore dhe “Dardanët” pastaj duhet ta mposhtin Gjeorgjinë ose Bjellorusinë në finale për t’u kualifikuar në EURO 2020.

“Është ende vetëm ëndërr. Ne i kemi edhe dy ndeshje të vështira, që të dyja si mysafirë. Nuk dua të kemi shumë presion, nuk dua të flas shumë për Kampionatin Evropian. Por, çdo arritje e madhe fillon me një ëndërr”, përfundoi Challandes. 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme