Evaristo de Macedo, braziliani i rekordeve që adhurohej nga Reali e Barça

Prishtinë | 15 Jan 2021 | 09:11 | Nga Ekonomia Online

Evaristo kishte ndihmuar Barcelonën që të ndalte dominimin evropian të Real Madridit në vitin 1960. Ai ka të arritura të jashtëzakonshme te Barcelona, klub që megjithatë nuk e kishte respektuar sa e meritonte. Braziliani më pas kaloi te Real Madridi. Kishte humbur rastin të luante në Botërorin e vitit 1958, jo me fajin e tij, ndërsa ka karrierë të madhe edhe si trajner

Për Brazilin, ai mban një rekord të shënimit të golave ​​që Pele kurrë nuk e arriti, megjithatë u ndalua të luante në Kupën e Botës të vitit 1958. Si trajner, ai udhëhoqi 16 ekipe të ndryshme, përfshirë Irakun, ku ai punoi së bashku me djalin e Saddam Husseinit. Tani në moshën 87-vjeçare, Evaristo de Macedo Filho shikon prapa në një karrierë të jashtëzakonshme në futboll – dhe golin fantastik që ende e përcakton atë si një legjendë të Barcelonës, pavarësisht nga gjithçka që pasoi.

I lindur në vitin 1933, Evaristo u rrit në veri të Rio de Janeiros, larg nga plazhet e famshme të qytetit dhe pamjet e kartolinave. Ai luajti futboll vetëm për argëtim në rrugë, por kjo ndryshoi pasi ai shkoi në prova me shokun e tij në klubin lokal Madureira në vitin 1950. Trajnerët i kërkuan atij numrin e këmbës dhe i dorëzuan një palë këpucë të vjetra. Pavarësisht se këpucët ishin të ngushta, me gishtërinjtë e mbledhur, 17-vjeçari bëri përshtypje dhe iu kërkua të kthehej ditën tjetër. Brenda dy vjetësh, Evaristo kishte shënuar 18 gola në 35 ndeshje për Madureiran, përfshirë një kundër Fluminenses dhe portierit të Brazilit, Castilho në stadiumin “Maracana” – i njëjti stadium në të cilin e kishte përcjellë finalen e botërorit të vitit 1950 së bashku me 200 mijë persona të tjerë nga tribunat. Paraqitjet e tij si amator për Madureiran i siguruan atij një ftesë për Lojërat Olimpike “Helsinki 1952”, ku Brazili shënoi nëntë gola në tri ndeshje para se t’i nënshtrohej Gjermanisë me përvojë në çerekfinale. Grupi i vogël i brazilianëve, duke përfshirë dy fituesit e ardhshëm të Kupës së Botës, Vava dhe Zozimo, u kthye në shtëpi me reputacion të rritur dhe oferta për kontrata nga klube përreth vendit. Evaristo, një tifoz i përjetshëm i Flamengos, mori thirrjen që ai e dëshironte më shumë. Gjatë tre vjetëve të ardhshëm ndihmoi klubin që e adhuronte në fëmijëri, Flamengo, në rrugën drejt tre titujve të kampionit të Rios.

“Flamengo ishte gjithmonë ekipi i zemrës sime”, tha Evaristo nga shtëpia e tij në Rio de Janeiro. “Unë u rrita duke e parë me xhaxhain tim, kështu që kishte vetëm një ekip për mua. Unë kisha oferta nga Vasco da Gama dhe Fluminense, por Flamengo më dha aq shumë dhe i jam përjetësisht mirënjohës”.

I kujtuar si një sulmues fizik dhe i pamëshirshëm, shumë prej rekordeve të golave të Evaristos qëndrojnë ende. Në mesin e 103 golave ​​të tij në 191 ndeshje për Flamengon, janë edhe pesë golat e shënuar në fitoren 12:2 ndaj Sao Cristovaos – triumfi më i thellë në historinë e Maracanas. Në mënyrë të ngjashme, në Kampionatin e Amerikës së Jugut në vitin 1957, duke luajtur për Brazilin së bashku me legjendat Garrincha dhe Nilton Santos, ai shënoi pesë gola në fitoren 9:0 ndaj Kolumbisë, një rekord ky i paarritshëm për Pelen. Derisa luante për Brazilin, gjatë kualifikimeve për Kupën e Botës së vitit 1958, rruga e Evaristos devijoi nga Flamengo.

Kalimi te Barcelona

Image

Barcelona ishte në një periudhë rindërtimi dhe Josep Samitier, sekretari teknik i klubit, kishte fluturuar në Amerikën e Jugut në kërkim të një sulmuesi. I vetëdijshëm se ekipet italiane gjithashtu kishin dërguar skautë, Samitier i bëri babait të Evaristos një propozim që lojtari më vonë do ta quante “të pamundur të refuzohej”. Raportet e mediave spanjolle sugjerojnë se Barça kishte ofruar 700 mijë peseta në vit, që sot kanë vlerën e 150 mijë eurove.

“Jeta në Barcelonë ishte normale, super e qetë dhe asnjëherë problematike – ngjasonte shumë me jetën në Rio de Janeiro në atë kohë”, kujton Evaristo, i cili u kthye pak kohë në Brazil pas tre muajsh për t’u martuar me të dashurën e tij të fëmijërisë, Norman. “Secili lojtar kishte një klub tifozësh, kështu që ne ishim të kërkuar, por jo si sot, sepse nuk kishte telefona celularë. Klubi më siguroi gjithçka: një shtëpi, një veturë ‘Mercedes’ dhe shumëçka tjetër. Ishte e mrekullueshme”.

I përmbajtur jashtë fushës, Evaristo u adaptua shpejt me jetën në qytetin spanjoll. Ai luajti dhe shënoi në ndeshjen e parë zyrtare në “Nou Camp”, në shtator të vitit 1957. Gjashtë muaj më vonë, ai u bë lojtari i parë që realizoi “hat-trick” te Barça. Dhe në sezonin vijues ai përsëriti këtë arritje, duke shënuar tre gola kundër kampionit të Evropës, Real Madridit gjatë rrugës drejt titullit të parë të Barcelonës në La Liga në gjashtë vjet. Një raport i ndeshjes, i botuar në “Hoja del Lunes de Barcelona”, e përshkruan atë si një sulmues që “topin e kishte të ngjitur në këmbë”.

Ndërsa uebfaqja zyrtare e klubit e përshkruan Evariston si “një nga transferimet më të mira të huaja që ka bërë Barça ndonjëherë” dhe një “brazilian tipik dhe i shkathët me një instinkt fatal para portës, një goditje e jashtëzakonshme me të dyja këmbët, kërcim të fuqishëm dhe i shpejtë”.

Falë këtyre karakteristikave, Evaristo ishte titullar i padiskutueshëm te Barcelona për pesë vjet. Në një skuadër të menaxhuar nga Helenio Herrera, duke luajtur së bashku me Laszlo Kubalan dhe Luis Suarezin, Evaristo fitoi dy tituj kampioni, një Kupë të Spanjës dhe dy herë kupën evropiane. Bazuar në statistikat zyrtare të Barcelonës, Evaristo ka shënuar 105 gola në 151 ndeshje zyrtare derisa në faqen e klubit thuhet se ai kishte 181 gola në 237 ndeshje.

“Evaristo ka më shumë gola se unë për Barcelonën. Sidoqoftë, unë kam më shumë gola zyrtarë, pasi ai shënoi shumë në ndeshje miqësore”, ka thënë Rivaldo, i cili shënoi 129 gola në 235 ndeshje midis viteve 1997 dhe 2002 te Barcelona. “Ai është shumë i njohur te Barcelona; ka fotografi të tij në zhveshtore. Ai ishte një lojtar i shkëlqyeshëm që bëri shumë për futbollin brazilian dhe në Barcelonë e kuptova madhështinë e tij, shumë njerëz flisnin për të”.

Eliminoi Realin dhe iu bashkua më pas

Pavarësisht nëse përfshihen miqësoret, deri më sot Evaristo ruan bilancin më të mirë të golave për ndeshje të çdo braziliani që ka luajtur më shumë se 50 ndeshje për Barcelonën. Dhe një gjë që nuk diskutohet kurrë është kontributi i tij më i shquar. Më 23 nëntor të vitit 1960, në ndeshjen e dytë të Kupës së Evropës kundër Real Madridit dhe para 120 mijë tifozëve në “Nou Camp”, Evaristo shënoi me kokë pas vetëm tetë minutave lojë. Goli, i përjetësuar në një fotografi bardhezi, ende ruhet në ram brenda stadiumit. Barcelona arriti të eliminonte rivalin më të madh për herë të parë në një garë evropiane, duke iu dhënë fund shpresave të Realit për trofeun e gjashtë rresht.

Image

“Kishte një rivalitet të madh midis dy qyteteve, sepse Madridi është kryeqyteti i Spanjës dhe Barcelona gjithmonë luftonte për pavarësi. Reali shihej më shumë si ekip i Gjeneralit Franco, kështu që kishte edhe rivalitet të madh politik, ndonëse unë asnjëherë nuk ndjeva ndonjë ndërhyrje nga politika”, shprehet Evaristo. “Ai gol theu hegjemoninë e Madridit. Ndihej si një titull për Barcelonën për shkak të rivalitetit dhe fakti që eliminoi Realin ishte çmenduri e vërtetë. Ne festuam shumë pas asaj ndeshjeje”.

Te Reali ishte përjetuar rëndë humbja. Në librin “Frika dhe Urrejtja në La Liga” të autorit Sid Lowe shkruan se pas ndeshjes lojtarët e Realit u përpoqën të rrihnin gjyqtarin anglez dhe ndihmësit e tij, të cilët kishin anuluar katër gola, me lojtarët e Barcelonës që ndërhynë për të qetësuar situatën. Kur pyetet për këtë skenë, Evaristo tregohet diplomatik.

“Nuk e mbaj mend këtë, jo”, thotë ai. “Madridi u ankua shumë, por unë kurrë nuk pashë ndonjë kërcënim të dhunës. Lojtarët në fakt kishin luajtur me qetësi”.

Barcelona vazhdoi me arritjen në finale për herë të parë në historinë e klubit, me Evariston që shënoi gjashtë herë në total, duke përfshirë dy gola në gjysmëfinale. Në stadiumin “Wankdorf” në Bern, Barça humbi 3:2 nga Benfica në finale.

“Ishte një ditë shumë e trishtuar për Barcelonën, sepse kishim gjithçka për të qenë kampionë të Evropës”, thotë Evaristo. “Gjithçka përveç fatit. Shtyllat e portës ne i goditëm katër ose pesë herë. Por Benfica kishte një ekip të shkëlqyeshëm”.

12 muaj pas asaj finaleje të vitit 1961, Evaristo kishte bërë atë që nuk mund të mendohej nga askush, duke iu bashkuar Real Madridit pas një mosmarrëveshjeje me Barcelonën në lidhje me natyralizimin e tij. Megjithatë, në kontrast të plotë me transferimin famëkeq të Luis Figos 38 vjet më vonë, tifozët e klubit e drejtuan zemërimin e tyre jo ndaj lojtarit, por te bordi i klubit.

“Barcelona donte që unë të bëhesha spanjoll për të hapur mundësinë që të sjell një lojtar tjetër të huaj dhe unë nuk e doja atë”, zbulon Evaristo. “Në Madrid nuk ishte kështu. Kjo është arsyeja pse u transferova atje, përndryshe do të kisha qëndruar në Barcelonë, gjë që më pëlqente më shumë”.

Nuk ishte hera e parë që veprimet e bordit të Barcelonës në lidhje me Evariston ishin të diskutueshme. Kur ai nënshkroi kontratën në vitin 1957, kishte një marrëveshje që nëse zgjidhej për të përfaqësuar Brazilin në Kupën e Botës verën tjetër, Barcelona nuk do ta pengonte. Duke luajtur çdo minutë të ndeshjeve kualifikuese të Kupës së Botës dhe me një total prej tetë golave në 14 ndeshje, Evaristo priste të ishte një titullar për vendin e tij. Por me Spanjën që nuk kishte arritur të kualifikohej, Kupa e Spanjës vazhdoi përpara në të njëjtën kohë me turneun në Suedi, dhe Barcelona e theu premtimin për ta liruar atë. Brazili do të vazhdonte të fitonte Kupën e parë Botërore, me një Pele 17-vjeçar që shënoi “hat-trick” në gjysmëfinale dhe dy tjerë në finale. Evaristo, i cili do të ndeshej me Pelen e ri dy vjet më vonë kur Santosi bëri një turne në Evropë, nuk e veshi kurrë më fanellën e famshme të verdhë.

“Unë isha shumë i mërzitur që nuk isha atje, por i ndoqa ndeshjet në radio. Në ditën e finales, unë isha në një kamp stërvitor, sepse Barcelona kishte lojë të nesërmen dhe babai im më thirri për të dhënë lajmin. Unë isha shumë i lumtur kur dëgjova që Brazili fitoi, sepse ishin miqtë e mi që po luanin. Mund të them se edhe unë pak ndihem si kampion pasi kontribuova në kualifikime të atij botërori”, tha ai.

Kthimi në vendlindje dhe sukseset si trajner

Në fund të fundit, mungesa e Evaristos në vitin 1958 dhe fakti që shpërthimi i tij te Barcelona kryesisht nuk u raportua në vendlindjen e tij, bënë që ai në Brazil të ishte i nënvlerësuar. Gazetari brazilian Milton Neves shkroi për Evariston: “Nëse do të kishin televizion në vitet ‘60, ai do të konsiderohej si Ronaldo”.

Mario Zagallo, i cili fitoi Kupën e Botës dy herë si lojtar (1958, 1962) dhe përsëri si trajner në vitin 1970, e quajti atë “llojin e lojtarit që do të kishte një vend në secilin ekip të zgjedhur prej tij”. Ndërsa Rivaldo shton: “Pa dyshim që futbolli ka ndryshuar shumë. Sot është më e lehtë për një lojtar të dallohet me TV, internet dhe media sociale. Megjithatë, nëse Evaristo do të kishte luajtur në një epokë tjetër, reputacioni i tij do të ishte krejtësisht i ndryshëm nga ai që e kishte në vitet ‘50 dhe ‘60. Ai ishte një lojtar i veçantë”.

Kur Evaristo u largua nga Barcelona, ​​ai kishte oferta nga Italia dhe Franca, por zgjodhi të qëndronte në Spanjë. Pavarësisht një dëmtimi serioz në gju, që e kufizoi në vetëm 19 paraqitje dhe gjashtë gola për Realin, ai vazhdoi zakonin e tij për të mbledhur trofe të vendit, duke shtuar edhe dy tituj kampioni në dy sezone. Ngjashëm si në Barcelonë, faqja zyrtare e Realit e rendit atë si një “legjendë futbolli”, së bashku me ish-yjet e tjera të klubit, Alfredo di Stefano, Ferenc Pushkash dhe Raul. Evaristo gjithmonë synonte të kthehej në Flamengo dhe e bëri atë në vitin 1965, duke shtuar një tjetër titull kampioni para se të dilte në pension një vit më vonë, në moshën 33-vjeçare. Gjatë një karriere 36-vjeçare, që pasoi me zejen e trajnerit, ai fitoi trofe të ndryshëm në Brazil me klubet si Santa Cruz, Gremio e Bahia. I dha Dani Alvesit debutimin e tij profesional dhe luftoi me Romarion, ndërsa ishte në krye të Flamengos. Në prill të vitit 1985, Evaristo u emërua përzgjedhës i Brazilit dhe iu kërkua të përgatitej për Kupën Botërore të vitit të ardhshëm në Meksikë. Por ai u shkarkua pas vetëm një muaji pas tri humbjeve në gjashtë ndeshje dhe një refuzimi kokëfortë për të zgjedhur ndonjë lojtar me bazë jashtë shtetit.

“Unë nuk do të lejoja Federatën braziliane të ndërhynte në përzgjedhjen e skuadrës sime, kështu që u largova. Unë tashmë kisha një ofertë për të stërvitur Katarin gjithsesi, kështu që shkova atje dhe pastaj kur Iraku kishte nevojë për një trajner për Kupën e Botës, unë u kërkova ta bëja atë”, shprehet Evaristo. “Unë kam punuar direkt me djalin e Saddam Husseinit, por kurrë nuk kam shkuar në Irak. Ne u takuam në Evropë dhe pastaj shkuam drejt në Meksikë, sepse Iraku ishte në luftë në atë kohë”.

Iraku, duke bërë paraqitjen e vetme në Kupën e Botës deri më sot, humbi të tri ndeshjet e grupeve; skuadra e tij u prish me lojtarë të ndryshëm që rekrutoheshin për të shërbyer në konfliktin e vendit me Iranin. Që nga pensionimi në vitin 2005, Evaristo kalon shumicën e ditëve duke shikuar Flamengon dhe duke kaluar kohën me familjen. Ai u bë stërgjysh në fillim të këtij viti. Ndërsa flet me telefon nga apartamenti i tij në Ipanema, i rrethuar nga trofetë, fotografitë dhe kujtimet e tjera të ndryshme, pa dyshim që janë tre fëmijët e Evaristos, që përfaqësojnë më së miri karrierën e tij të lojës: Evaristo Jr ka lindur në Kataluni, Luis Augusto në Rio dhe Maria Mercedes në Madrid.

“Jam shumë krenar që kam punuar në futboll për 56 vjet dhe kam arritur një sukses të tillë”, thotë ai. “Futbolli, Flamengo, familja dhe miqtë. Kjo është jeta ime tani”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme