Fabregas po shikon anën pozitive të izolimit nga Coronavirusi

Prishtinë | 24 Mar 2020 | 12:52 | Nga Ekonomia Online

Mesfushori spanjoll i Monacos, Cesc Fabregas po e shikon anën pozitive të krizës së shkaktuar nga Coronavirusi. Ai thotë se po ka mundësi të kalojë më tepër kohë me familjen.

“Ky izolim më ka lejuar të bëjë gjërat që rrallë kam qenë në gjendje të bëjë gjatë karrierës sime. Zgjohem dhe ha mëngjes me fëmijët e mi. Po ashtu hamë edhe drekë e darkë së bashku dhe i dërgoj në shtrat. Është një privilegj që duhet të shijojmë, pasi kurrë nuk kam qenë në gjendje të kalojë aq shumë kohë me fëmijët. Duhet të shikosh për gjërat e mira dhe jam i sigurt se shumë njerëz po bëjnë këtë”, ka thënë Fabregas në një intervistë për “Marca”, transmeton Koha.net.

Ushtrimet janë bërë të vështira për shumicën në këtë periudhë izolimi. Por, Fabregas ka pajisjet e ushtrimit në shtëpi.

“Mora pajisje fitnesi. Nuk ka mënyrë tjetër për të ushtruar, pasi asnjëri nuk e di se sa gjatë do të jemi të izoluar dhe nuk do të mund të stërvitemi së bashku. Unë po mundohem të ushtroj së paku një orë në ditë, ndoshta pak më tepër”, ka thënë Fabregas. “Ne futbollistët jemi si të tjerët. Jemi të izoluar në shtëpi, pasi kemi përgjegjësi sociale që të mos kontribuojmë në përhapjen e virusit”.

Fabregas 32-vjeçar këtë stinor ka luajtur 22 ndeshje në të gjitha garat dhe ka asistuar tre gola.

Të ngjashme