Fakte të çuditshme nga ndeshja TNS – Feronikeli

Prishtinë | 10 Kor 2019 | 10:35 | Nga Ekonomia Online

Ndeshja e djeshme e Feronikelit në fushën e TNS në Uells u zhvillua me të vërtetë në një impiant dhe atmosferë të veçantë, që të bën të shohësh me një sy ndryshe stadiumet në kampionatin shqiptar, shkruan Vipsport.al.

Ndeshja u luajt në një impiant në mes të pyllit, që ngjan më shumë me një fushë sportive se sa një stadium të mirëfilltë, pasi ka vetëm një tribunë, ndërsa zakonisht ndeshjet aty shihen me tifozët të mbështetur në rrethimin rrotull stadiumit, i cili si teori ka 2000 vende, por vetëm 1000 prej tyre janë me ulëse, sepse ia kërkon UEFA.

Por nuk ishte vetëm kjo që bënte çudi. Të gjithë ata që ndiqnin ndeshjen, mund të parkonin lehtësisht makinat e tyre në parkingun pas njërës prej dy portave, ku me siguri rrezikonin që automjeti të goditej nga topi pasi edhe rrjetat rrethuese nuk ishin nga të lartat.

Impianti sigurisht që nuk është i ndërtuar për kapacitete të tilla në mes të pyllit, por për të luajtur ndeshje të UEFA-s duhen përmbushur disa kushte, si për shembull ai i tualeteve. 

Zgjidhja e uellsianëve për këtë problem, ishte të vendosnin tualete publike të dukshme në krah të tribunës së vetme.

Jo shumë larg këtyre tualeteve ishte diçka edhe më e veçantë. 

Në cepin e tribunës ishte pozicionuar një bandë muzikore, e cila nuk ndali gjatë gjithë sfidës muzikën për të argëtuar njerëzit, edhe pse në pjesën më të madhe të kohës nuk ishte ritëm nga ai entuziazmues që mund të çonte në këmbë tifozët.

Për ta bërë edhe më të çuditshme këtë ndeshje menduan edhe disa të apasionuar pas ballonëve me ajër, duke fluturuar një të tillë pranë impiantit ku zhvillohej takimi.

Të ngjashme