Falë xhudisteve, Kosova përmbyll edhe një ngjarje me sukses

Prishtinë | 01 Kor 2019 | 08:42 | Nga Ekonomia Online

Xhudistet kanë bërë të mundur që Kosova të mbyllë me sukses edhe një ngjarje shumësportëshe. Tri medalje i kanë fituar xhudistet në Lojërat Evropiane, që përfunduan të dielën në kryeqendrën e Bjellorusisë, Minsk. Sportistët e tjerë nuk fituan medalje, por kjo nuk është diçka e re.

Në të gjitha ngjarjet shumësportëshe të deritashme ku ka marrë pjesë, përjashto festivalet evropiane për të rinj, Kosova ka fituar medalje. Te medaljet kanë arritur vetëm xhudistet. “Seria” nisi në Lojërat e para Evropiane të mbajtura në Baku të Azerbajxhanit në vitin 2015. Vazhdoi në Lojërat Olimpike “Rio 2016”, Lojërat Mesdhetare “Tarragona 2018”, Lojërat Olimpike për të Rinj “Buenos Aires 2018” dhe njëjtë ishte edhe në Minsk, në ngjarjen shumësportëshe të mbyllur të dielën, shkruan sot Koha Ditore.

Me tri medalje janë kthyer xhudistet nga Minsku. Majlinda Kelmendi ka fituar medalje të artë në kategorinë deri 52 kilogramë, Nora Gjakova medaljen e argjendtë në kategorinë deri 57 kilogramë dhe Loriana Kuka medaljen e bronztë në kategorinë deri 78 kilogramë. Në xhudo ka garuar edhe Akil Gjakova që u ndal në luftën e dytë, ndërsa Distria Krasniqi hoqi dorë nga gara në çastet e fundit, pas telasheve me peshë. Me Distrinë e gatshme dhe me më shumë fat për Akilin, Kosova ka mundur të fitojë plot pesë medalje në xhudo. Por tri medalje vlerësohet bilanc skajshmërisht i mirë për ekipin me katër garues.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme