“Family Bowling 2”, bën bashkë fëmijët, stimulon integrimin në sport dhe socializmin e fëmijëve

Prishtinë | 26 Nën 2018 | 15:31 | Nga Norë Kelmendi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Olimpiada Speciale e Kosovës, e cila merret me integrimin në sport të personave me nevoja të veçanta, sidomos fëmijëve dhe të rinjve, sot ka organizuar aktivitetin “Family Bowling 2”.

Garat në Bowling organizohen në kuadër të projektit “Young Athletes 2018”, ndërsa i tërë projekti është i mbështetur nga UNICEF.

Kimete Bekaj, koordinatore nga OSK-ja, tha se qëllimi i gjithë këtij aktiviteti është socializmi mes fëmijëve me nevoja të veçanta si dhe atyre të komuniteteve.

“Ne kemi filluar të veprojmë prej vitit 2016, kurse bashkëpunimi me UNICEF-in ka filluar prej 2017, të cilët na përkrahë jashtëzakonisht shumë. Prej rezultatit që kemi tregu në 2017, ky projekt ka vazhduar edhe më tepër sepse atëherë ka qenë 1% përfshirja:  Prishtina, Mitrovica dhe Fushë Kosova dhe tash është zgjeruar, tani në këtë projekt është përfshirë Vushtrria dhe Obiliqi. Në këtë event marrin pjesë 72 fëmijë, 40 me nevoja të veçanta, 16 komunitete dhe 16 të rregullt”, ka thënë Bekaj, raporton Ekonomia Online.

Ajo tha se ky projekt ka për qëllim socializmin e fëmijëve dhe për këtë bashkëpunim kanë shprehur gatishmëri edhe prindërit.

“Prandaj qëllimi i këtij aktiviteti është socializmi dhe përfshirja e këtyre fëmijëve. Jam e kënaqur për bashkëpunimin me UNICEF dhe me prindërit. Prindërit nga viti i dytë kanë qenë shumë të gatshëm për bashkëpunim”, tha Bekaj.

Ndërsa fëmijët shprehen të lumtur për këtë pjesëmarrje në këtë event.

Roni Bërbatovci, pjesë e Olimpiadës Speciale të Kosovës u shpreh shumë i lumtur për pjesëmarrjen bashkë me fëmijët e tjerë.

Ndërsa Erdi Kamberi, pjesë e komunitetit romë nga Obiliqi tha se është kënaqësi të bashkohesh me fëmijë të shkollave të ndryshme dhe të njihen mes vete.

Ky është viti i dytë i këtij organizimi mes fëmijëve me nevoja të veçanta si dhe atyre të komuniteteve.

Këtë aktivitet po e mbështet UNICEF-i.

Ata janë shprehur shumë të lumtur që po i ndihmojnë fëmijët.

Ky event ndihmon fëmijët me aftësi të kufizuar për shoqërim dhe për të zhvilluar sporte fizike, të demonstrojnë kurajo, të përjetojnë gëzimin dhe të marrin pjesë në ndarjen e aftësive dhe miqësisë me familjet e tyre dhe komunitetin.

Të ngjashme