Fanella e Kosovës i jep krenari Zekajt

Prishtinë | 04 Sht 2019 | 09:42 | Nga Ekonomia Online

Iu bashkua ekipit të hënën në mesnatë, por kjo nuk e pengoi futbollistin Arton Zekaj që të martën në mëngjes të jetë i pranishëm në stërvitjen e Përfaqësueses U-21 të Kosovës dhe të dëshmojë menjëherë se do të jetë i vlefshëm për selektorin Rafet Prekazi.

Zekaj për shkak të vonesës në fluturim nuk arriti që të paraqitet në stërvitjen e parë të Përfaqësueses U-21 që të hënën u mbajt në Obiliq. Kosova U-21 po përgatitet për ndeshjen kualifikuese ndaj Anglisë. Zekaj pritet të debutojë me fanellën e Kosovës në këtë ndeshje, ndërsa është plotësisht i gatshëm për të nisur kapitullin e ri në karrierën e tij.

Në fakt, Zekaj është pritur të debutojë në qershor, kur Kosova U-21 i luajti dy ndeshjet e para të këtyre eliminatoreve, me Andorrën dhe Turqinë. Por një lëndim muskulor ia pamundësoi grumbullimin, shkruan sot Koha Ditore.

Shpresat e Kosovës më 9 shtator luajnë në udhëtim ndaj Anglisë. Kosova ka fituar ndeshjet e qershorit dhe prin në grup me gjashtë pikë. Anglia nuk ka luajtur ende ndeshje në këtë cikël, pasi ishte paraqitur në Evropianin e kësaj vere.

Mesfushori 19-vjeçar muaj më parë e fitoi të drejtën që të luajë për Kosovën dhe thotë se ndihet krenar që do të luajë për Kosovën. Zekaj ka përfaqësuar më herët Serbinë në grupmoshat U-15, U-16 e U-17. Madje te Përfaqësuesja U-17 e Serbisë ka qenë edhe kapiten.

“Për mua është një nder i madh të vesh fanellën e shtetit tim, kënaqësi të jem pjesë e këtij grupi. Nuk jam ndier kurrë më mirë sesa kur e vesha fanellën për t’u stërvitur me ekipin. Të gjithë më kanë pritur mirë dhe gjërat po shkojnë ashtu siç i kam ëndërruar”, është shprehur Zekaj, që flet me një shqipe të rrjedhshme.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme