Fanella e Ukrainës për Euro 2020 e tërbon Rusinë

Prishtinë | 08 Qer 2021 | 12:43 | Nga Ekonomia Online

Fanella e Ukrainës për Kampionatin Evropian 2020, e cila përmban një hartë të vendit brenda së cilës përfshihet edhe gadishulli i Krimesë, ka shkaktuar zemërim në Rusi para fillimit të turneut në fund të kësaj jave.

UEFA i ka dhënë leje Ukrainës ta përdorë këtë fanellë gjatë kampionatit të kësaj vere, një ndeshje çerekfinale e të cilit do të zhvillohet në Shën Petersburg, pavarësisht tërbimit të shprehur nga qeveria e Vladimir Putinit, transmeton Gazeta Express.

Rajoni i Krimesë u aneksua nga forcat ruse më 2014, por vijon të njihet nga shumica e botës si pjesë e Ukrainës.

Pjesa e sipërme e fanellës së verdhë tradicionale të Ukrainës shfaq pamje të shtetit të Ukrainës, përfshirë territorin e Krimesë dhe rajonet pro-ruse të kontrolluara nga separatistët, Donetsk dhe Lugansk.

Për më tepër, në fanellë ka një mbishkrim patriotik: “Lavdi Ukrainës!” – një shprehje që fitoi shumë popullaritet si slogan protestues gjatë ngjarjeve të vitit 2014 që e rrëzuan nga pushteti ish-presidentin dhe aleatin e Rusisë, Viktor Yanukovych në vitin 2014.

Në një komunikatë për media rreth aprovimit të fanellës, pas reagimit plot mllef të Rusisë, UEFA shpjegoi: “Fanella e ekipit kombëtar të Ukrainës dhe të të gjitha ekipeve për UEFA Euro 2020 është aprovuar në përputhje me rregullat e pajisjeve të zbatueshme”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme