Faqet e huaja shesin bileta në tregun e zi për ndeshjen Kosovë-Angli

Prishtinë | 13 Nën 2019 | 11:34 | Nga Ekonomia Online

Pasi një pjesë e madhe e tifozëve të Kosovës nuk arritën të sigurojnë bileta për ndeshjen Kosovë – Angli, kur këto dolën në shitje dje në orën 16:00, tani ata mund të detyrohen të paguajnë bileta me çmime shumëfish më të larta në tregun e zi.

Kosova do ta presë Anglinë më 17 nëntor në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, në ndeshjen e fundit në kuadër të Grupit A për kualifikimet në Kampionatin Evropian 2020.

Se çfarë rëndësie do të ketë kjo ndeshje varet nga përballja e Kosovës në Çeki, pasi që nëse “Dardanët” pësojnë humbje në këtë ndeshje, ata e kanë të pamundur kualifikimin në EURO 2020.

Megjithatë, edhe nëse Kosova s’do të mundë të kualifikohet në EURO 2020, interesimi i qytetarëve për ta përcjellë përballjen në “Fadil Vokrri” ka qenë i madh dhe faqja tiks.app, ku bëhet shitja e biletave, ra nga sistemi dhe ua pamundësoi shumë tifozëve të blejnë bileta.

Përderisa tiks.app ka lajmëruar se biletat e mbetura do të dalin sërish në shitje më vonë (se kur do të ndodhë kjo do të lajmërohet më vonë nga Tiks.app), biletat kanë filluar të dalin në tregun e zi e jo vetëm në Kosovë.

Faqja me bazë në Izrael, SeatPick, po i shet biletat për këtë ndeshje me çmim prej 342 funteve.

E përderisa SeatPick pretendon se i ka edhe tetë bileta të mbetura për këtë përballje, një faqe tjetër, Sportsevent365 thotë se nuk i kanë mbetur më bileta për këtë ndeshje.



Të ngjashme