Fazlija e emocionuar me fitoren e Kosovës në “Ditën e personave të zhdukur”

Prishtinë | 31 Gus 2019 | 12:24 | Nga Ekonomia Online

Përzgjedhësja e Kombëtares së Kosovës në futboll për femra, Afërdita Fazlija e ka përjetuar me shumë emocione fitoren e mbrëmshme të Kosovës ndaj Turqisë në kuadër të kualifikimeve për Evropian.

Vashat e Kosovës mbrëmë fituan 2 me 0 në “Fadil Vokrri”, në ndeshjen e parë kualifikuese për Euro 2021.

E Fazlija thotë se është e emocionuar pasi fitorja ishte në “Ditën e personave të zhdukur”, e ajo ende nuk di për fatin e vëllait të saj.

“Është një ditë që më ofron emocione të përziera, pasi që jam e lumtur në aspektin sportiv për shkak të fitores, por jam edhe e mërzitur për shkak se sot është dita e personave të zhdukur, kur të gjithë e dinë që unë e kam vëllanë e zhdukur”, është shprehur Fazlija.

Fazlija synon rezultat pozitiv edhe ndaj Sllovenisë.

“Është vetëm ndeshja e parë dhe duhet të mbesim me këmbë në tokë. Kemi një ekip të ri ku mosha mesatare është 18-19 vjeç dhe do të punojmë me hapa të sigurt. Synojmë që edhe ndeshjen e radhës ndaj Sllovenisë të luajmë të disiplinuar dhe do të kërkojmë rezultat pozitiv”, ka thënë ajo për faqen zyrtare të FFK-së.

Të ngjashme