FC Prishtina e nis vitin me drejtorë të rinj, si menaxhues ashtu edhe sportiv

Prishtinë | 01 Jan 2021 | 16:48 | Nga Ekonomia Online

Klubi i Prishtinës i ka zyrtarizuar dy drejtorët e rinj, që kanë dal nga mbledhja e mbajtur më 24 dhjetor të vitit që lamë pas, 2020.

Për drejtor menaxhues të klubit u caktua, Bajram Sherifi, kurse për drejtor sportiv, Fisnik Kërçeli, pasi drejtorët aktual kishin mbetur pa kontratë si për drejtorin sportiv, Granit Begolli, si drejtorin menaxhues, Agim Salihu i cili tani e tutje kalon në postin e përfaqësuesit juridik të klubit.

Bajram Sherifi, i lindur më 12 nëntor, 1978, nga viti 2002 deri më 2012 ka qenë zyrtar policor duke përfunduar atë mision si Zëvendësshef i departamentit të Kundërterrorizmit, kurse si jurist i diplomuar, nga viti 2012 ushtron zejen e avokatit.

Sherifi: Sfida më e veçantë organizimi i 100 vjetorit të përmbyllet me sukses

“Duke pasur besim në vete dhe në stafin e FC Prishtina, besoj shumë qe kjo detyrë e imja ka me qenë detyra ime më e lehtë deri me sot”.

“Sfidat që na presin në vitin 2021 kanë të bëjë direkt me menaxhimin sa më efikas të klubit, pasi që gjendemi në një situatë aspak të lehë për klubin, por edhe për shoqërinë tonë në përgjithësi. Sfidë e veçantë për mua dhe komplet dashamirët e FC Prishtinës do të jetë organizimi sa më i mirë pasi që në vitin e ardhshëm kemi të bëjë me 100 vjetorin e klubit dhe nga ne të gjithë kërkohet një angazhim shtesë në arritjen e rezultateve kulminante që FC Prishtina dhe të gjithë dashamirët e saj i dëshirojnë dhe i meritojnë”.

“Besoj qe me ndihmën dhe me angazhimin e të gjithëve do t’ia arrijmë qëllimit që i kemi caktuar vetës”.

Kërçeli: Orientimi për trofe dhe tituj, lojtarë të dëshmuar

“Ndjehem jashtëzakonisht i kënaqur dhe i privilegjuar që do të ushtrojë detyrën e drejtorit sportiv në një klub me traditë dhe histori të pakontestueshme siç është FC Prishtina”.

“Angazhimi kryesor i imi do të jetë orientimi i klubit për vazhdimësinë drejt synimeve për trofe dhe tituj. Tek e fundit kjo është aspirata e përjetshme e Prishtinës”.

“Gjithashtu, jam i preokupuar të angazhohem që në klub të ofroj lojtarë me cilësi të dëshmuar dhe talente për të ardhmen që do ta bartin me nder fanellën e klubit tonë”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme