Federata e Anglisë kërkon nga UEFA ndëshkimin e Bullgarisë

Prishtinë | 15 Tet 2019 | 12:58 | Nga Ekonomia Online

Federata e Futbollit e Anglisë ka bërë thirrje që UEFA ta fillojë një hetim urgjent ndaj Bullgarisë, pasi që tifozët e këtyre të fundit bënë thirrje raciste ndaj lojtarëve me ngjyrë të “Tre Luanëve” gjatë ndeshjes së mbrëmshme, në kuadër të kualifikimeve për EURO 2020.

Përballja e djeshme në Sofje u ndal në dy raste gjatë pjesës së parë, pasi që tifozët e Bullgarisë në tribuna po i ofendonin futbollistët me ngjyrë të Anglisë me thirrje raciste.

Protokolli i ri i UEFA-s thekson se gjyqtarët e kanë autoritetin për ta suspenduar ndeshjen dhe në fund mund të vendosin ta braktisin plotësisht ndeshjen në rrethana të tilla.

Dy hapat e parë të një plani trehapësh u implementuan mbrëmë në kryeqytetin bullgar, pasi që tifozëve fillimisht iu kërkua ndalja e thirrjeve raciste e pastaj ndeshja u pezullua sërish për pak kohë.

Në fund u mor vendimi për të mos e braktisur ndeshjen, që përfundoi me rezultat 6:0 për anglezët, mirëpo një numër i tifozëve bullgarë u larguan nga stadiumi me forcë nga rojet e sigurimit.

Megjithatë, tani pritet që Bullgaria të përballet me një dënim nga UEFA për incidentet e ndeshjes së mbrëmshme, pasi që edhe vetë Federata e Anglisë ka kërkuar që shtëpia e futbollit evropian të nisë hetime urgjente.

“Ne mund ta konfirmojnë se lojtarët e Anglisë ishin cak i thirrjeve të neveritshme raciste gjatë ndeshjes kualifikuese për EURO 2020 kundër Bullgarisë”, thuhet në postimin në faqen zyrtare të Federatës angleze në Twitter.

“Kjo është e papranueshme në çfarëdo niveli të sportit tonë dhe përqendrimi ynë i menjëhershëm është t’i mbështetin futbollistin dhe stafin e përfshirë në këtë incident”.

“Fatkeqësisht, siç jemi të vetëdijshëm, kjo nuk është hera e parë që futbollistët tanë janë përballur me abuzim të tillë dhe nuk ka vend për sjellje të tillë në shoqëri, e lëre më në futboll”.

“Ne do t’i kërkojmë UEFA-s ta hetojë këtë rast me urgjencë”.

Presidenti i Federatës bullgare, Borislav Mihaylov, tha dje se ai i konsideronte akuzat ofenduese dhe poshtëruese, duke shtuar se kritikat në drejtim të tifozëve bullgarë ishin të padrejta.

Edhe trajneri i ekipit kombëtar, Krasimir Balakov, më vonë pretendoi se nuk kishte dëgjuar asnjë thirrje raciste nga ana e tifozëve bullgarë dhe shtoi se kishin qenë tifozët e Anglisë ata që kishin shfaqur “sjellje të pahijshme”.

Megjithatë, tani ka ndërhyrë kryeministri i Bullgarisë, Bokyo Borisov, i cili ka kërkuar ndryshim, duke e paralajmëruar Federatën e Futbollit vendore se nuk do të marrë asnjë financim deri në momentin kur disa figura të caktuara të largohen nga hierarkia.

Ministri i Sportit i Bullgarisë, Krasen Kralev, tha: “Para pak kohësh, kryeministri më thirri urgjentisht. Ju e dini se gjatë katër vjetëve të fundit, qeveria ka bërë shumë për ta zhvilluar futbollin bullgar”.

“Por, pas ngjarjeve të fundit, duke e pasur parasysh situatën e plotë të futbollit, kryeministri më ka urdhëruar që nga sot t’i suspendojë të gjitha lidhjet me Federatës, përfshirë këtu ato financiare, deri në dorëheqjen e Borislav Mihaylovit”. 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme