Federata e Boksit gati për turneun “Adem Jashari”, kërkon mbështetje financiare nga MKRS-ja

Prishtinë | 22 Nën 2018 | 14:01 | Nga Emine Shehu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Federata e Boksit e Kosovës dhe Këshilli organizativ i edicionit jubilar të turneut të boksit “Adem Jashari”, kanë mbajtur konferencë për medie në të cilën kanë treguar për ecurinë e përgatitjes për turneun e boksit “Adem Jashari”.

Kryetari i Federatës së Boksit, Ramadan Selimi ka thënë se janë të gatshëm të fillojnë këtë edicion të boksit.

“Ne jemi më tepër se një muaj e gjysmë duke u përgatit për turneun e boksit “Adem Jashari”. Përgatitjet kanë shkuar si më së miri. Grupet kanë punuar bashkë dhe jemi në përgatitjen finale të turneut të boksit dhe nesër pasnesër do jetë e gatshme”, ka thënë Selimi, raporton Ekonomia Online.

E, drejtori i departamentit të Sporteve, Ibër Alaj, ka thënë se këtë vit si ministri kanë bërë përpjekje që të marrin në turne shtete që nuk e kanë njohur Kosovën si shtet dhe përmes këtij sporti ta kthejnë vëmendjen nga njohja.

“E vlerësojmë se mbështetja e ministrisë është mbështetje që është e domosdoshme për federatën por është edhe promovim i vlerave të boksit në Kosovë dhe përmes këtyre, vijnë edhe shtete që nuk na kanë njohur dhe mund të na njohin. Me programe që kemi bërë edhe në vitet në vijim të jetë organizimi më i mirë dhe cilësia e boksit të rritet dhe të ketë masovizim duke parë kualitetin në boks”, ka thënë Alaj.

Alaj poashtu është përgjigjur rreth kërkesës për mjetet e vonuara duke ashtuar: “Me formën e re të mbështetjes së federatave sportive dhe mënyrën e re të raportimit të tyre në MKRS, është mundësuar më shumë transparencë dhe llogaridhënie.”.

“FBoxK me kohë ka raportuar edhe e ka plotësuar doklumentacionin e nevojshëm dhe po presim që sa më shpejtë të përfundojmë procedurat e kërkuara për të alokuar mjetet e rradhës për këtë Federatë” – shtoi Alaj.

Ndërkaq, sekretari i përgjithshëm i Federatës së Boksit, Mehmet Bogujevci ka thënë se mbështetja financiare e ka vështirësuar organizimin më të mirë te turneut.

Ai ka thënë se MKRS-ja ka neglizhuar këtë event duke bërë që federata të mbetet pa asnjë cent.

“Ky turne është në kalendarin zyrtar të federatave evropiane dhe botërore dhe është turne i nivelit të lartë, për çdo vit kemi pas shtatë-tetë shtete, disa herë 13-të, por sivjet kemi filluar përgatitjet shumë herët por problemi është ana financiare dhe mund të informojmë se për shkak të neglizhencës së ministrisë  nuk e kemi ende asnjë cent në federatë”, ka thënë Bogujevci.

“Sivjet është viti jubilar dhe jemi munduar të kemi sa më shumë pjesëmarrës, Zvicra, Maqedonia,Kroacia, Çekia, Italia, Mali i Zi, Shqipëria, Gjermania, Rumania dhe vetëm gjyqtari ndërkombëtar nga Bullgaria”.

Artan Muhaxheri, ka njoftuar se prezentë në turne do të jenë edhe fytyra të njohura, në të cilën ka konfirmuar prezencën e boksierit Luan Krasniqi.

“Luan Krasniqi do të jetë i pranishëm që ka pasur rol edhe në zgjedhjen e ekipit tonë. Solisti Ilir Shaqiri dhe Shemi bashkë me Ansamblin”, ka shpjeguar ai.

Edicioni i 20-të i turneut të boksit “Adem Jashari” sivjet mbahet për herë të parë në Mitrovicë më 24 dhe 25 nëntor.

Hapja ceremoniale do të jetë në program të shtunën në orën 15:45, ndërsa gjysmëfinalet në orën 16:00.

Finalet e këtij turneu do të mbahen të dielën nga ora 16:00, në Pallatin e Sporteve “Minatori” në Mitrovicë.

Të ngjashme