FFK-ja: Ademi merr garanci nga spanjollët se ndeshja do të luhet konform rregulloreve të FIFA-s e UEFA-s

Prishtinë | 10 Mar 2021 | 16:40 | Nga Ekonomia Online

Federata e Futbollit e Spanjës i ka rënë pishman për veprimin që bëri të martën në rrjetet sociale, në ‘Twitter’.

Duke treguar për ndeshjet që Spanja do t’i zhvillojë në mars, Federata e Spanjës iu drejtua Kosovës me ‘territori i Kosovës’.

Kjo ngjalli reagime nga më të ndryshmet, përfshirë edhe nga Federata e Futbollit të Kosovës.

Sido që të jetë, vetëm 24 orë pas publikimit të lajmit të tillë, Federata e Spanjës, me apo pa dashje për veprimin që bëri, i ka rënë pishman.

FFK ka bërë të ditur se Agim Ademi ka pranuar një telefonat nga Federata e Futbollit të Spanjës, ku është kërkuar falje dhe është siguruar se “Spanjë – Kosovë do të zhvillohet konform rregulloreve dhe protokollit të FIFA-s dhe UEFA-s për ndeshje zyrtare”, raporton Gazeta Express.

Njoftimi i FFK-së:

Gjatë ditës së sotme, presidenti Agim Ademi, e ka pranuar një telefonatë nga Federata e Futbollit e Spanjës (RFEF). Me këtë rast RFEF ka shprehur keqardhje për lajmet e publikuara në mediat e atjeshme dhe ka konfirmuar se ndeshja Spanjë – Kosovë do të zhvillohet konform rregulloreve dhe protokollit të FIFA-s dhe UEFA-s për ndeshje zyrtare.

Po ashtu, Federata e Futbollit e Spanjës ka shprehur mikpritjen e tyre për Kombëtaren e Kosovës dhe u tregua e hapur në bashkëpunim për çfarëdo nevoje që mund të ketë FFK-ja.

Në anën tjetër presidenti Ademi shprehu respektin dhe besimin e tij ndaj Federatës së Futbollit të Spanjës dhe shprehu bindjen e tij se do të zhvillohen dy ndeshje shumë të mira si në Sevila po ashtu edhe në Kosovë.

Presidenti Ademi përmes telefonit bisedoi edhe me zyrtarët e UEFA-s. Këta të fundit e kontaktuan atë për ta sqaruar situatën e krijuar së fundmi dhe ia konfirmuan se gjithçka është në rregull dhe se ndeshja do të zhvillohet ashtu siç është paraparë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme