Federata e Malit të Zi: Asnjë klub s’na i ka kërkuar paratë e UEFA-s

Prishtinë | 01 Maj 2020 | 14:39 | Nga Ekonomia Online

Sekretari i Federatës së Futbollit të Malit të Zi, Momir Gjurgjevac, ka thënë se asnjë klub malazias nuk ka kërkuar që të përfitojë nga ndihmat që UEFA i ka ndarë për Federatën, duke thënë se kjo çështje as nuk mund të diskutohet.

Ndihmat e ofruara nga UEFA në vlerë prej 4.3 milionë euro kanë sjellë sërish në pah mosmarrëveshjet mes disa klubeve dhe Federatës së Futbollit në Kosovë.

Përderisa disa klube kanë kërkuar që një pjesë e atyre parave t’u ndahen edhe atyre shkaku i dëmeve financiare që i kanë përjetuar shkaku i krizës së koronavirusit, FFK-ja ka insistuar se ato para janë për Federatën.

Me një problem të tillë nuk po përballet Federata e Futbollit e Malit të Zi, pasi që atje, sipas sekretarit Gjurgjevac, klubet nuk kanë kërkuar pjesë të këtyre ndihmave dhe se kjo çështje nuk mund të diskutohet.

“Ne i kemi pranuar ato mjete dhe jo, nuk kemi pasur kërkesë nga asnjë klub në ligën këtu që ato mjete të ndahem, pasi që, siç e dimë, destinacioni i tyre është për Federatën dhe nevojat e futbollit, jo të klubeve”, ka thënë Gjurgjevac për Presheva Jonë.

“Ne kemi paraparë që ato t’i investojmë në ndërtimin e terreneve për ushtrime e gjërave të tjera që kanë të bëjnë me rritjen e nivelit të infrastrukturës”.

“Nuk e di nëse është normale që të kërkohet nga klubet që të ndahen ato mjete, por te ne kjo çështje as nuk diskutohet”.

Të ngjashme