Federata ia dha zyrtares së saj organizimin e ndeshjes Kosovë-Kroaci

Prishtinë | 04 Tet 2016 | 19:23 | Nga

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri ka nënshkruar një kontratë me kompaninë e vartëses së tij Diturie Hoxha. Kontrata ka të bëjë me organizimin e ndeshjes së futbollit mes Kosovës dhe Kroacisë.

Ora 20 e 45 minuta e së enjtes, më 6 tetor, do të shënojë një arsye për festë dhe mburrje. Është hera e parë që përfaqësuesja e Kosovës do të luajë një ndeshje të vlefshme si nikoqir.

Liderët shtetëror dhe krerët e federatës do të jenë aty, të gatshëm për t’ia atribuuar vetes “sukseset” e organizimit të ndeshjes së parë ndërkombëtare të vlefshme për botërorin “Rusia 2018”.

Por, në prapaskenë gjërat janë zhvilluar në drejtim të kundërt.

Krerët e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) janë përfshirë në një skemë të konfliktit të interesit, e cila nxit dyshime për korrupsion.

Insajderi ka zbuluar se FFK-ja vendosi që organizimin e ndeshjes ta bëjë kompania private “Sheshi” Sh.P.K, e cila është në pronësi të zyrtares së lartë të FFK-së, Diturie Hoxhës. Ajo mban postin e drejtoreshës për marketing dhe marrëdhënie me publikun në Federatën e Futbollit të Kosovës.

Insajderi ka siguruar kopjen e kontratës së lidhur mes Federatës së Futbollit, kompanisë Sheshi Sh.P.K si organizatore e ndeshjes si dhe kompanisë “Moneta Moneygram) si distributore e biletave për ndeshjen Kosovë-Kroaci. Kompania “Sheshi”, e zyrtares Diturie Hoxha është angazhuar për shtypjen dhe shpërndarjen e biletave tek kompania “Moneygram”.

Po ashtu, bazuar në këtë kontratë, “Moneygram” obligohet që më së largu, më datën 7 tetor, një ditë pas ndeshjes, të transferojë në llogarinë e “Sheshi” Sh.P.K, shumën e parave të mbledhura nga shitja e biletave për ndeshjen Kosovë-Kroaci.

Një nen tjetër i kësaj kontrate lë shumë hapësirë për dyshime.

Neni 3.6 i kontratës thotë: Transferi i mjeteve nga shitja e biletave do të bëhet në mënyrë sukcesive nga komisionari (Moneygram) te organizuesi i aktivitetit (Sheshi) brenda afatit prej 24 orëve.

Ndërsa nga komisionari (Moneygram) te komitenti (Federata e Futbollit…) sipas marrëveshjes specifike të lidhur në mes të komitentit dhe organizatorit të aktivitetit (Sheshi Sh.P.K).

Vokrri dhe Hoxha heshtin ndaj skandalit

Insajderi ka kërkuar sqarime nga Federata e Futbollit lidhur me këtë nen.

E ka pyetur se a transferohen më pas paratë nga shitja e biletave nga llogaria e kompanisë “Sheshi” në llogarinë e FFK-së? Nuk ka marrë përgjigje.

Federata nuk ka dhënë sqarime as për sa i përket numrit të biletave të nxjerra në shitje, numrin e biletave të shitura deri më tash e as për kontraktimin e kompanisë private në pronësi të zyrtares së FFK-së.

Ngjashëm ka vepruar edhe Diturie Hoxha.

Nuk ka dhënë përgjigje se pse pikërisht kompania e saj është përzgjedhur nga Federata e Futbollit për tu marrë me organizimin e ndeshjes Kosovë-Kroaci.

Shitja e biletave krijon polemika dhe ankesa për çmimet

Edhe zbatimi i kçsaj kontrate u përshkua me parregullësi, u raportua se biletat për ndeshjen Kosovë – Kroaci kanë shkaktuar plot polemika. Biletat e kësaj ndeshjeje dolën në shitje të enjten e 29-shtatorit derisa çmimet e tyre varionin prej 7 eurove më të lirat, deri tek ato më të shtrenjtat, që kushtonin 55 euro.

Për të siguruar një vend në ulëset VIP, duhej paguar deri në 130 euro.

Çmimet e biletave për këtë ndeshjen Kosovë-Kroaci:
Tribunat E/C = 7 Euro
Tribunat D1/D4 = 15 Euro
Tribuna D3 = 20 Euro
Tribunat A, B = 55 Euro
Tribuna VIP = 130 Euro

Shitjen e biletave e mori përsipër kompania për transferta parash “MoneyGram”, e cila kishte hapur qendra të shitjes vetëm në disa qytete të Kosovës. Mitrovica, Gjakova dhe Gjilani nuk kishin pika blerëse të biletave.

Fillimisht, tifozët nga disa qytete të Kosovës, si nga Mitrovica, Gjakova e Gjilani, e kanë shprehur pakënaqësinë dhe zhgënjimin për faktet se u është dashur të shkonin në qendra tjetër të vendit për të siguruar bileta.

Ndërkohë, edhe blerësit e biletave në Prishtinë janë ankuar për faktin se është vendosur vetëm një pikë e shitjes në kryeqytet, në një pikë të “MoneyGram”-it, e cila ka shkaktuar tollovi dhe pritje të gjatë të qytetarëve. Jo vetëm kaq.

Kryetari i FFK-së, Fadil Vokrri tha se “çmimet e biletave të ndeshjes së Kosovës, janë të ngjashme me çmimet e ndeshjeve të kombëtares shqiptare”. FFK-ja nuk ka marrë parasysh se tifozët kosovarë duhet të udhëtojnë në një shtet tjetër për të ndjekur takimin e parë të përfaqësueses së tyre. (Insajderi.com)

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme