Federata italiane kërkon shtyrjen e Euro 2020

Prishtinë | 15 Mar 2020 | 17:10 | Nga Ekonomia Online

Federata Italiane e Futbollit do të kërkojë shtyrjen e Evropianit 2020 shkaku i kaosit të shkaktuar nga koronavirusi.

Federata shpreson se me shtyrjen e Evropianit do të jetë në gjendje të përfundojë kampionatin vendor.

“Ne do t’i propozojmë UEFA-s shtyrjen e Kampionatit Evropian”, ka thënë presidenti i federatës Gabriele Gravina për “SportMediaset”, transmeton Koha.net. “Ne do të tentojmë të mbyllim kampionatet si duhet, pasi është më korrekte pas aq shumë investimeve dhe sakrificave të bëra nga kubet”.

Ligat e mëdha evropiane janë pezulluar shkaku i koronavirusit. Ndërkohë të martën do të organizohet një video-konferencë emergjente mes UEFA-s dhe përfaqësuesve të klubeve, ligave dhe federatave për të diskutuar për situatën.

Gjasat janë të mëdha që Evropiani, i paraparë të mbahet në 12 shtete dhe të nisë më 12 qershor e të mbarojë më 12 korrik, të shtyhet për një datë tjetër.

Gravina ka thënë se shpreson që stinori në Serie A të përfundohet deri më 30 qershor, ndonëse nuk e ka përjashtuar që të zgjatë edhe një muaj më tepër se aq.

Ai po ashtu ka thënë se klubet italiane nuk bën të stërvisin momentalisht.

“Nëse liga kthehet në maj, atëherë do të lija anash për momentin çështjen e stërvitjes. Të lëmë djemtë në shtëpi, të rikuperohem fizikisht dhe mentalisht”, ka thënë Gravina.

Të ngjashme