Federata u përgjigjet tre karateistëve që u larguan nga Kosova për t’iu bashkuar Shqipërisë

Prishtinë | 05 Jan 2020 | 17:20 | Nga Ekonomia Online

Federata e Karatesë së Kosovës u është përgjigjur akuzave nga tre karateistët Alvin Karaqi, Orges Arifi e Blodin Pakashticës, të cilët të shtunën njoftuan se janë detyruar t’i bashkohen Shqipërisë duke e lënë Kosovën.

Të tre këta garues akuzuan Federatën e Karatesë në Kosovë se ka sjellje armiqësore ndaj tyre, e ka shpresuar që karateistët të dështojnë.

Ata akuzuan FKK-në se ua ka mohuar të drejtën dhe shansin për të fituar normë olimpike. Megjithatë, sekretari i përgjithshëm i kësaj federate, Nazmi Gashi, në një konferencë për media ka thënë se është krejtësisht e kundërta.

Sipas tij, kjo federatë “u ka hyrë në hak këtyre garuesve, sepse i ka çuar në shumë gara”.

“Ne kemi një mal akuzash prej disa prej sportistëve tanë të cilat kemi dalë t’u tregojmë realitetin që është ndryshe nga ajo që kanë shkruar. Federata e Karatesë ka bë të pamundurën që këta garues të ngritën sa më lartë në karrierën e tyre dhe ne realisht për këto vite kemi shumë gara që kanë shkuar”, ka thënë ai duke renditur garat e Premier Ligës në Paris, Dubai, Salzburg e Kampionate Evropiane e Botërore si gara ku kanë marrë pjesë.

Megjithatë, sipas Gashit, arsye e largimit të këtyre karateistëve është “mosarritja e rezultateve të duhura, apo një lloj shfajësimi për mosarritjen aty ku kemi pas synim, kualifikimin për Lojëra Olimpike”.

Sipas federatës, Karaqi e Arifi kanë marrë pjesë në dhjetëra gara për periudhë të shkurtër kohore, ndërsa kanë refuzuar të flasin për Blodin Pakashticës për të cilin kanë thënë se ka shkuar si garues i nivelit të dytë, vetëm në formë ekipore.

“Sa i përket akuzave që i kanë bërë ndaj nesh kinse ne i kemi dërguar në gara me autobus, është e vërtetë sepse ne s’i kemi tre garues e as katër, por me qëllim të marrjes të sa më shumë garuesve kemi siguruar transport me autobus, minibus varësisht nga numri. Por s’është e vërtetë se kanë hyrë të lodhur në gara. I kemi dërguar dy ditë më përpara gjithmonë. Kanë pushuar e kanë hyrë në gara. Tjetër është që s’janë përgatitur mirë nga klubet dhe andaj kanë munguar rezultatet”, ka thënë Gashi duke shtuar se pas përfshirjes së karatesë në Lojëra Olimpike niveli është rritur në të gjitha shtetet, “edhe në Kosovë, por këta s’kanë arritur ta ngrisin nivelin”.

“Kanë thënë se na kanë lënë në aeroport. S’është e vërtetë. Ne i kemi pas biletat të gjithë të nxjerra nga një agjenci, e biletat e tyre s’u kanë dalë në sistem nga agjencia. S’ka qenë faji i ekspeditës. Kemi biseduar dhe u kam thënë po ua rezervoj biletat por kanë thënë jo se Alvini ka babanë që merret me to dhe i kanë siguruar. Dy bileta i kanë kushtuar 840 euro, a 270 euro ishte një biletë kthyese kur kemi nxjerrë ne. Kur kemi kërkuar skemën e nxjerrjes së biletave nga babai i tij që t’ia dërgojmë kompanisë që të rimbursojë ai s’ka dërguar, veç ka dërguar një fletëpagesë e ka thënë kaq mi keni borxh. S’na ka dërguar neve që të rimburësohemi, por ne ia kemi dhënë paratë”, ka shtuar Gashi.

Sipas tij, largimi i karateistëve të klubit Ippon lidhet edhe me ish-kryetarin e Federatës Fadil Arifi.

“Alvin Karaqi ka thënë se nëse fiton Ismet Krasniqi (garën për mandatin aktual) të gjithë garuesit e Ipponit do të shkojmë të luajmë për Shqipërinë. Këtë e kanë ruajtur deri kur e kanë pa që s’po arrijnë të marrin kualifikimin olimpik. S’ka qenë ky gabimi i tij i parë. Edhe në Lojërat në Baku, s’ka marrë pjesë si trajner i tij, por me kërkesë të Alvinit ka shkuar trajnerja e tij, e që të gjitha shtetet pjesëmarrjen e bëjnë në nivele sektorësh. Edhe në Minsk ka bërë kërkesë dhe Komiteti Olimpik e ka dërguar Shqipe Zogjanin në vend të Isak Currit atje. S’ka të bëjë me nivel të mospjesëmarrjes, por çështje politike në të cilën kryetari i klubit të tyre po i keqpërdor këto vlera që i ka brenda klubit”, ka deklaruar më tej sekretari i përgjithshëm i kësaj federate.

Ai ka bërë të ditur se federata nuk i ka dhënë fletëlëshim Karaqit, por ka kaluar te Shqipëria, përkundër vendimit.

“E kanë pa të arsyeshme ashtu dhe ashtu kanë vepruar. Kemi hy në hak me këta sepse i kemi çuar shumë në gara, edhe kur s’ishin të përgatitur. Sa i përket pjesës tjetër s’jemi as fajtorë e as s’na vije keq pse kanë shkuar atje. Gabimi jonë ishte se i dërguam shumë”, ka thënë ai.

Të ngjashme