Federatat dorëzojnë dokumentacionin për fondin prej 1.5 milionë eurosh

Prishtinë | 01 Tet 2020 | 11:28 | Nga Ekonomia Online

Federatat sportive të Kosovës të martën kanë marrë njoftimin nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) për vendimin që Qeveria e Kosovës e ka marrë për ndarjen e pakos emergjente për rimëkëmbje ekonomike, ku përfitues është edhe sektori i sportit.

Nga MKRS-ja federatave u është kërkuar që deri të enjten (sot) pasdite të dorëzojnë dokumentacionin mbi të dhënat e klubeve përfituese nga fondi 2.5 milionë euro i ndarë nga Qeveria për komunitetin e kulturës, rinisë dhe sportit.

Veprimi i federatave ishte i shpejtë duke dorëzuar dokumentacionin për fondin 1.5 milionë euro, aq edhe sa i është ndarë sektorit të sportit sipas një vendimi të Qeverisë të siguruar nga KOHA.

Fondi 1.5 milionë euro është i dedikuar për klubet sportive, numri i të cilave është rreth 500, referuar të dhënave të mbledhura nga Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK), pas aplikimeve të federatave sportive për kategorizim të sporteve dhe sportistëve, në Kosovë. Vendimin për ndarje të fondit e kanë mirëpritur klubet, që ankohen se janë në krizë financiare shkaku i pandemisë së koronavirusit.

Në fakt, edhe mjetet do të ndahen sipas kategorizimit të sporteve, ka thënë ushtruesi i detyrës së sekretarit të MKRS-së, Ibër Alaj.

“Si grup punues jemi duke punuar mbi bazën e përcaktimit të kritereve dhe në bazë të tyre edhe do të bëhet ndarja, së pari në departamente e më pas edhe tek federatat. Në këtë fazë do të ndahen 2.5 milionë euro, ndërsa pritet edhe 2.5 milionë euro tjera në një fazë tjetër, brenda këtij viti. Përfitues do të jenë direkt klubet në bazë të paraqitjes sipas kategorizimit. Jemi në fazën e fundit të diskutimit të brendshëm dhe ende nuk kemi vendosur shumën e përfitimit për secilin sektor”, ka thënë Alaj të mërkurën për KOHËN.

Alaj ka shtuar se këto fonde, klubet dhe federatat duhet t’i shfrytëzojnë për kthim të aktiviteteve në vend. Sipas tij, kriteret për klubet tashmë janë përcaktuar dhe do të përfitojnë vetëm ato që janë aktive.

“Federatat janë angazhuar që t’u dalin në ndihmë në kompletimin e dokumentacionit dhe qëllimi i fondit është kthimi i aktiviteteve sportive. Jemi munduar që në mënyrë standarde të ndajmë mjetet për klubet. Renditja e përfitimit do të shkojë sipas kategorizimit, pasi disa federata dhe sporte që janë më masive do të kenë mbështetje më të madhe. Kriteret i kemi përcaktuar në mënyrë që mos dëmtohet asnjë klub. Dhe, përfitues do të jenë vetëm klubet që janë aktive, meqë disa prej tyre nuk ushtrojnë veprimtari dhe ato që nuk kanë ushtruar veprimtari, nuk do të përfitojnë. Unë besoj se brenda vitit do të ketë edhe ndarje tjetër 2.5 milionë eurosh”, ka theksuar Alaj.

Të ngjashme