Federatat sportive ankohen për mungesë të përkrahjes nga Pakoja Emergjente

Prishtinë | 15 Maj 2020 | 21:16 | Nga Ekonomia Online

Në federatat sportive të vendit janë shprehur të dëshpëruar për mungesën e përkrahjes së pritur, në emër të Pakos Emegjente Fiskale. Të enjten federatat sportive kanë kuptuar që gjasat që komuniteti i sportit të fitojë përkrahje financiare shtesë për shkak të koronavirusit, thuajse nuk ekzistojnë.

Këtë fillimisht e kishte bërë të ditur Ibër Alaj, drejtor i Departamentit të Sportit në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në një video-konferencë me federatat sportive, të organizuar nga KOK-u.

Alaj më pas ka konfirmuar për Koha.net se MKRS-së nuk i janë ndarë mjete shtesë për të përkrahur sportin pas përhapjes së COVID – 19.

Të premten Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi ka konfirmuar se MKRS-së i është kërkuar që nga fondi i saj të gjejë mjetet për Pakon Emergjente Fiskale.

Në një vendim të Qeverisë të 30 marsit shkruan për “rritje të buxhetit për grante dhe subvencione për MKRS-në për evitimin e situatës së krijuar nga situata e emergjencës së shëndetit publik në aktivitetet sportive dhe kulturore, në vlerë prej pesë milionë euro”.

Ishte shpresuar që për MKRS-në do të ndahen pesë milionë të tjera dhe se kështu nuk do të ketë ndikim në projektet dhe planifikimet e mëparshme. Por kjo nuk ka ndodhur të paktën deri më tani dhe në MKRS kanë lënë të kuptohet se nuk mund të ketë asgjë nga përkrahja për sportin e kulturën, në emër të kësaj pakoje.

Në të vërtetë më të goditurit janë klubet dhe vetë sportistët, pasi federatat kanë firmosur memorandumet e rregullta me MKRS-në dhe e kanë buxhetin e garantuar.

Klubet po përballen me vështirësi të mëdha financiare, për shkak të telasheve të bizneseve që investojnë në klube, dhe kjo rezulton me mosndarjen e pagave për sportistët. Shumica e sportistëve ka dy muaj që nuk kanë pranuar paga.

Klubet po bëjnë presion në federata, që nuk po kanë opsione për t’iu dalë në ndihmë klubeve. Të paktën kështu thonë drejtues të federatave. Federatat, klubet dhe sportistët kanë shpresuar shumë te fondi pesë-milionësh.

“Ende nuk kemi informatën zyrtare, por nëse ndodhë kjo atëherë padyshim se do të jetë shumë zhgënjyese. E them këtë për shkak se janë klubet ato që kanë më së shumti nevojë për ndihmë në këtë kohë të vështirë. Si federatë po kemi presion prej klubeve që po kërkojnë ndihmën e premtuar nga shteti”, ka thënë Elvira Dushku, sekretare e përgjithshme e Federatës së Basketbollit të Kosovës.

Edhe në Federatën e Volejbollit të Kosovës janë të vetëdijshëm që gjasat që pakoja të ndahet janë fare të vogla.

“Në bazë të asaj që është thënë, nuk është definitive që pakoja nuk do të ndahet, por gjasat janë të vogla. Pasi që pakoja në bazë të rregulloreve të buxhetit të Kosovës duhet të votohet në kuvend. Për atë ndoshta është edhe pak problem që do të ndahet. Të shohim. Jemi të zhgënjyer edhe ne, edhe klubet. Një pako e tillë me siguri kryesisht do të dedikohej për klube. Ndoshta do të ishte më mirë mos të premtohej fare”, ka thënë Valon Nikqi, sekretar i përgjithshëm në Federatën e Volejbollit të Kosovës.

Izet Gjinovci, sekretar i përgjithshëm i Federatës së Hendbollit të Kosovës thotë se prej fillimit ka pasur dyshime që pakoja do të mund të realizohej.

“Ajo pako ishte një premtim i mirë, por vështirë se do të realizohej. Këtë e kam thënë shumë më parë. Natyrisht që është zhgënjyese kur kupton se nuk do të ketë ndihmë, pasi të gjitha klubet, të paktën ato që kanë paguar rregullisht lojtarët, kanë pritur një gjë të tillë. Nuk ka as sponsorë dhe është e vështirë të mbijetohet në këtë kohë pandemie. Më mirë do të ishte që mos të premtohej fare kur dihet se nuk mund të realizohet”, ka theksuar Gjinovci.

Ndërkohë Ministrja Dumoshi ka konfirmuar se prej MKRS-së është kërkuar që për pako fondet të merren nga buxheti i ministrisë.

Të premten MKRS-ja ka nënshkruar një memorandum me komunën e Gjilanit për rindërtimin e stadiumit në këtë qytet. MKRS-ja do të ndajë 4,6 milionë euro për këtë projekt, brenda tri viteve. Kjo është shumë e përafërt me atë që është premtuar në pako.

Në fakt në MKRS thonë se nuk kanë mundësi ligjore që mjetet e parapara për infrastrukturë t’i dedikojnë për ndihmë ndaj sportit e kulturës.

“Ministri i Financave para dhjetë ditësh na ka thënë se e vetmja mundësi është që vetëm brenda ministrisë, në kuadër të buxhetit të ministrisë që t’i gjeni ato të holla për këtë pjesën emergjente. Si ministre për Kulturë, Rini dhe Sport kur e kam marrë ministrinë kam gjetur 3,8 milionë euro obligime të cilat nuk kanë qenë të paguara”, ka thënë Dumoshi. Sipas saj përkrahja për sportin përmes kategorizimit është shumë e mirë.

“Tash kur i gjejmë, ose kur e kemi pesë milionëshin, sigurisht se kjo do të shkojë edhe për sportin edhe për kulturën, por ne në ministri e kemi pjesën e rinisë dhe trashëgimisë”.

Drejtori i Departamentit të Sportit, Ibër Alaj, ka konfirmuar se MKRS-ja nuk e ka “pesë milionëshin”.

“Kurrë nuk ka pasur buxhet shtesë. Momentalisht nuk i kemi ato mjete, nëse alokohen atëherë do të ndahen brenda sektorëve. Deri në këtë moment nuk i kemi këto para dhe nuk mund të ndajmë diçka që nuk e kemi. Nëse duhet të bëjmë ndryshim buxheti, pra që t’i marrim mjetet nga investimet kapitale për t’i kaluar në subvencione, për këtë kërkohet vendim i kuvendit ose duhet të pritet muaji tetor kur lejohet me ligj të buxhetit që ministri të bëjë ridestinim të buxhetit”, ka thënë Alaj.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme