Federer afër majës në renditjen botërore

Prishtinë | 16 Shk 2018 | 14:32 | Nga

Federer mund të bëhet tenisti numër një më i vjetër në histori nëse arrin të kualifikohet në gjysmëfinale të turneut Rotterdam Open, në të cilën është duke garuar aktualisht.

Tenisti zviceran, Roger Federer, është shumë afër që sërish të renditet i pari në renditjen botërore të tenistëve profesionalë (ATP).

Zvicerani 36-vjeçar, i cili këtë sezon e filloi me triumfin në Australian Open, është afër për të thyer edhe një rekord të ri. Ai mund të bëhet tenisti numër një më i vjetër në histori nëse arrin të kualifikohet në gjysmëfinale të turneut Rotterdam Open, në të cilën është duke garuar aktualisht.

Në ndeshjen e parë të Rotterdam Open, Federer mposhti belgun Ruben Bemelmans kurse në të dytën gjermanin Philipp Kohlschreiber, me rezultatin 2-0 në sete.

Në çerekfinale Federer do të përballet me holandezin Robin Haase, të cilin nëse arrin ta mposhtë, do të kalojë në vendin e parë pas shpalljes së renditjes botërore që do të shpallet të hënën, duke e ulur nga maja tenistin spanjoll Rafael Nadal, i cili aktualisht gjendet në vendin e parë.

Federer, i cili në karrierën e tij ka fituar 20 turne Grand Slam dhe i cili së radhit në vendin e parë në renditjen botërore për herë të parë në vitin 2004 që nga tetori i vitit 2012 më nuk është ngjitur në majë të renditjes.

Rekordin e tenistit më të vjetër në vendin e parë aktualisht e mban Andre Agassi, i cili ishte ngjitur në majë në shtator të vitit 2003 në moshën 33-vjeçare.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme