Festë në Berlin, Unioni për herë të parë në Bundesligë

Prishtinë | 29 Maj 2019 | 12:20 | Nga Ekonomia Online

Lojtarët e Union Berlinit u ngritën lart dhe u bartën nëpër stadium pasi siguruan ngjitjen në Bundesligë të hënën mbrëma, për herë të parë në histori.

Një barazim pa gola në shtëpi ndaj Stuttgartit në ndeshjen e kthimit të barazhit, mjaftoi për t’u ngjitur në elitë. Unioni u mbrojt gjithë ndeshjen dhe siguroi kalimin në elitë pasi kishte barazuar 2:2 në ndeshjen e parë në udhëtim ndaj Stuttgartit. Arriti të ngadhënjente në saje të rregullit të avantazhit të golit të mysafirit, shkruan sot Koha Ditore.

Mijëra tifozë vërshuan fushën në stadiumin e Unionit pas përfundimit të ndeshjes. U ndezën fishekzjarrë, pati përqafime, kërcime e vallëzime dhe shumë tifozë nxorën celularët për të kapur këtë moment historik.

Tifozët iu gëzuan arritjes më të madhe të klubit të tyre, që vlerësohet një arritje më e madhe sesa fitimi i Kupës së Gjermanisë Lindore në vitin 1968.

Lojtarët e lagën trajnerin Urs Fischer me birrë. Presidenti i Unionit, Dirk Zingler, nuk ishte në gjendje të frenonte lotët e gëzimit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme