FFK-ja e ka lanë të hapur në UEFA mundësinë të ketë ndërprerje para kohe të sezonit

Prishtinë | 01 Qer 2020 | 08:40 | Nga Ekonomia Online

Ndeshja gjysmëfinale e Kupës së Kosovës në futboll në mes Prishtinës dhe Drenicës do të jetë edhe e para pas pauzës tremujore shkaku i pandemisë së koronavirusit. Kjo ndeshje do të luhet të martën, derisa një ditë më vonë ajo ndërmjet Ballkanit dhe Feronikelit.

Nga Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) është caktuar edhe orari i xhiros së 23-të i Superligës, që do të rifillojë më 5 qershor. Por FFK-ja e ka lënë të hapur në UEFA mundësinë të ketë ndërprerje para kohe të sezonit.

Burime në FFK i kanë thënë “Kohës” se në letrën dërguar në adresë të UEFA-s shkruan se nëse ka kushtëzim nga Qeveria e Kosovës, do të ketë ndërprerje të sezonit.

“Në letrën e FFK-së në adresë të UEFA-s thuhet se janë të gatshëm ta rifillojnë kampionatin, por në rast të ndonjë përkeqësimi me pandemi në shtetin e Kosovës, mund të ketë ndërprerje të sezonit, gjithnjë nëse kushtëzohemi nga Qeveria e Kosovës dhe organet përgjegjëse”, i ka thënë një i afërt i FFK-së “Kohës” në kushte anonimiteti.

Edhe disa zyrtarë të FFK-së po ashtu në kushte anonimiteti kanë konfirmuar se gjithçka do të varet nga rastet që mund të jenë në territorin e Kosovës.

“Derisa është pandemia do të jenë në funksion ligjet e shtetit”, i ka thënë “Kohës” një zyrtar i FFK-së në kushte anonimiteti.

Zyrtarë të FFK-së nuk kanë dashur të flasin rreth letrës dërguar UEFA-s.

FFK-ja është dashur që deri më datën 25 maj ta dorëzojë në UEFA planin rreth fillimit të aktiviteteve. Një gjë të tillë e ka bërë, por që e ka lënë të hapur mundësinë që mund të mos ketë përfundim.

Në fakt, në Kosovë vazhdojnë të dalin raste të reja të të infektuarve me koronavirus. Të dielën IKSHPK-ja ka njoftuar për 13 (trembëdhjetë) raste të reja me koronavirus.

Të dielën është vendosur që të gjitha masat e deritashme të shfuqizohen qysh nga e hëna (sot), kur edhe bëhet hapja e fazës së tretë, ku ishin përfshirë edhe aktivitete sportive.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme