FFK-ja me kërkesë për Lidhjen Rajonale të Futbollit

Prishtinë | 10 Kor 2017 | 15:53 | Nga

Sekretari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu, ka nisur një letër drejt Lidhjeve Rajonale të Futbollit.

“Në bazë të prioriteteve të proklamuara nga ana e Komitetit Ekzekutiv të Federatës së Futbollit të Kosovës , të kryesuar nga Fadil Vokrri – president, e të inkorporuara në “CAO” të FIFA Forward Program dhe UEFA HatTrick për riformatizimin dhe efiçiencën e Lidhjeve Rajonale të Futbollit (LRF), obligohen të gjitha Lidhjet Rajonale, Klubet e Futbollit, Shkollat e futbollit të të gjitha niveleve dhe Shoqatat e gjyqtarëve e trajnerëve që të kompletojnë përgatitjet për sistemin e ri të regjistrimit të klubeve, lojtarëve dhe anëtarëve të tjerë të FFK-së.

Çdo individ do të këtë ID kartelën e vet unike me numrin e përhershëm të identifikimit, i cili do të futet në “FIFA Connect Registration Platform” programin për regjistrimin e lojtarëve dhe klubeve.

Lidhjet Rajonale ndalohen që të shtypin libreza të reja dhe të marrin çfarëdo shume në këtë kontekst. Sekretari i LRF do të propozohet nga kryetari i saj dhe miratohet nga KE i FFK-së dhe do të paguhet nga Federata e Futbollit e Kosovës.

Të gjitha pagesat do të bëhen direkt në xhirollogarinë e FFK-së, ndërsa mjetet e grumbulluara nga çdo LRF do t’i kthehen atyre, për projektet që i parashohin kryetaret e LRF-ve.

Të gjitha klubet duhet të bëjnë futjen – riregjistrimin e anëtarëve të saj në sistem dhe do të marrin kartelën me ID, direkt nga FFK-ja.

Xhirollogaritë e LRF-ve do të mbyllen dhe asnjë klub nuk mund të bëjë asnjë llojë pagese në asnjë LRF përpos në xhirollogarinë zyrtare të Federatës së Futbollit të Kosovës.

Të gjitha organet e LRF-ve (Komisari i Garave, Komisioni Disiplinor dhe Komisioni i delegimit të Referëve) si dhe meditjet standarte të anëtarëve të Bordit do të paguhen nga FFK-ja, në bazë të vendimit të KE të FFK-së.

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) do t’i ndihmojë të gjitha LRF dhe klubet e saja në të gjitha aspektet për të promovuar vlerat e transparencës, punës profesionale dhe parimet e UEFA-s dhe FIFA-s”, thuhet në letrën e Salihut, të publikuar nga FFK.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme