FFK-ja paraqet pakon emergjente

Prishtinë | 10 Pri 2020 | 16:28 | Nga Ekonomia Online

Federata e Futbollit të Kosovës ka prezantuar të premten pakon emergjente, përmes të cilës do të përkrahen njerëzit e futbollit gjatë pandemisë së koronavirusit.

Sipas një komunikate, FFK-ja nga mjetet e saj ka bërë pakon e ndihmës emergjente. FFK-ja ka vendosur për pakon pa pritur ndihmën e premtuar nga Qeveria e Kosovës.

Do të përkrahen klubet e Superligës dhe të kategorive të tjera e po ashtu arbitrat e delegatët. Klubet duhet të dërgojnë në FFK listat e atyre që përfitojnë nga pakoja.

Klubet e IPKO Superligës do të përfitojnë për 35 persona, që do të marrin nga 350 euro.

“Ky projekt asistence është bërë nga fondet vetanake të FFK-së, derisa do të realizohet edhe një kredi tek banka jonë partnere. Projekti është bërë në atë mënyrë që si destinacion ta ketë përfituesin e fundit, pra pagesa do të bëhet për secilin person në llogarinë e tij personale. FFK-ja do të jetë gjithmonë pranë komunitetit të futbollit me mundësitë e saj, sidomos në këto momente të vështira si pasojë e koronavirusit. Por duhet kuptuar të gjithë se kjo është vetëm një ndihmë emergjente e cila do t’ua lehtësojë sadopak të gjithë të përfshirëve në futboll këtë periudhë të pazakontë në të cilën po kalojmë si vend dhe si shoqëri”, thuhet në njoftimin e FFK-së.

Përfituesit nga pako janë rreshtuar më poshtë:

Në klubet e Ipko Superligës do të ndihmohen nga 35 persona me shumën prej 350 euro për person.
Klubet e Ligës së Parë do të ndihmohen nga 30 persona me shumën prej 200 euro për person.
Klubet e Ligës së Dytë do të ndihmohen nga 25 persona me shumën prej 150 euro për person.
Klubet e Ligës së Tretë do të ndihmohen nga 20 persona me shumën prej 100 euro për person.
Liga e Femrave, senioret, do të ndihmohen nga 25 persona me shumën prej 200 euro për person.
Liga e Femrave, U16, do të ndihmohen nga 20 persona me shumën prej 100 euro për person.
Klubet e Futsallit do të ndihmohen nga 15 persona me shumën prej 100 euro për person.
Gjyqtarët e ndeshjeve, gjithsej 193 persona do të ndihmohen me nga 200 euro.
Gjyqtarët e kategorisë së re, gjithsej 180 persona do të ndihmohen me nga 50 euro.
Delegatët e ndeshjeve dhe kontrollorët e referimit do të ndihmohen me nga 100 euro.

FFK-ja do të ndihmojë edhe shkollat e futbollit, por pasi Lidhjet Rajonale t’i përgatisin dokumentet e nevojshme.

Të ngjashme