FFK-ja themelon Task-Forcë për luftimin e kurdisjeve

Prishtinë | 27 Pri 2021 | 17:56 | Nga Ekonomia Online

Federata e Futbollit të Kosovës ka themeluar një Task-Forcë për luftimin e kurdisjeve në futbollin kosovar.

Vendimi për Task-Forcë doli të martën nga mbledhja e Komitetit Ekzekutiv të FFK-së.

Në javët e fundit ka pasur akuza të shumta për kurdisje të rezultateve. Të dielën direkt ka akuzuar edhe Ballkani, klubi lider në Superligë.

FFK-ja ka pranuar se së fundi në futboll janë “shfaqur disa dukuri jo të mira, të cilat KE i gjykon dhe i lufton”.

Në njoftim thuhet se FFK-ja është e hapur për bashkëpunim me secilin që ka dhe ofron fakte për kurdisje. Sipas njoftimit, “organet e FFK-së do t’i trajtojë me prioritet dhe kujdes e mbi bazën e fakteve do të ndërmerren masat adekuate”. FFK-ja është e hapur për bashkëpunim me Prokurorinë dhe hetuesinë. Ka bërë thirrje që të trajtohet secila deklaratë e individëve që shfaqin dyshime për kurdisje dhe të merren masat e duhura për mënjanimin e këtyre dukurive negative.

“Por FFK-ja nuk do të tolerojë përpjekjet e individëve apo qarqeve të ndryshme që për çfarëdo arsye të dëmtojnë apo prishin imazhin dhe të arriturat e futbollit të Kosovës. Ndaj tyre do të jetë fuqishëm për t’i ndëshkuar në përputhje me të gjitha ligjet dhe aktet normative të disponueshme. Komiteti Ekzekutiv në këtë drejtim, me qëllim të parandalimit të këtyre dukurive, ka themeluar Task-Forcën që do të jetë edhe në shërbim të Këshillit Kombëtar për Parandalimin e Dukurive Negative në Sport”, thuhet në njoftimin e FFK-së.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme