FFK mban ligjërata për klubet kundër kurdisjeve

Prishtinë | 06 Gus 2019 | 16:58 | Nga Ekonomia Online

Federata e Futbollit e Kosovës, përmes Zyrës për Integritet të Garave, ka nisur mbajtjen e ligjëratave kundër kurdisjeve të ndeshjeve dhe dukurive tjera negative, me klubet e Superligës dhe Ligës së Parë.

Në këto takime po ashtu është bërë promovimi i broshurës “Ta ruajmë integritetin e futbollit”.

Zyrtari për integritet të garave në FFK, Ejup Osmani, gjatë këtyre ligjëratave ka kërkuar nga futbollistët që të jenë syçelë dhe të mos bëhen ‘argatë’ të manipuluesve dhe njerëzve të lidhur me mafinë, që synojnë prishjen e ‘fair-play’-t në futboll.

Tutje, Osmani, ka shpjeguar se paratë e këtyre manipuluesve vijnë nga rrugë të pista dhe krimet, prandaj, sipas tij, të gjithë duhet të jenë të vëmendshëm dhe të raportojnë çdo përpjekje të përfituesve të tillë që synojnë të joshin futbollistët, gjyqtarët apo drejtuesit e klubeve për kurdisje të ndeshjeve.

Teksa ka thënë se FFK është e vendosur të mbrojë integritetin e garave dhe ka njerëz që angazhon në mbikëqyrjen e secilës ndeshje, Osmani ka kërkuar nga futbollistët që të japin kontributin e tyre duke iu thënë “jo” manipuluesve potencialë, duke e raportuar çdo rast në këtë zyrë.

Ligjëratat e tilla do të vazhdojnë të mbahen me të gjitha klubet si dhe me delegatët e gjyqtarët e ndeshjeve.

Të ngjashme