FFK-ja mesazh tifozëve: Kujdes, mos i kaloni rrethojat; Veprimet e tilla do të ndëshkohen

Prishtinë | 25 Mar 2019 | 15:29 | Nga Ekonomia Online

Federata e Futbollit e Kosovës fton të gjithë shikuesit në stadium që gjatë ndeshjes së sotme ta përkrahin Kombëtaren e Kosovës fuqishëm dhe me dinjitet, por në asnjë rrethanë të mos bëjnë veprime që janë të kundërligjshme, siç ishte rasti në ndeshjen miqësore kundër Danimarkës, kur dy shikues i kaluan rrethojat dhe u futën në fushën e gjelbër.

FFK u bën me dije shikuesve se çdo kalim i rrethojave dhe hyrje në fushë konsiderohet vepër penale dhe do të jetë i ndëshkueshëm në bazë të Ligjit për parandalimin e dhunës dhe Ligjit kundër huliganizmit dhe dukurive tjera negative në sport, njofton Federata e Futbollit të Kosovës përcjellë Klan Kosova.

Shtëpia më e madhe e futbollit në Kosovë beson fuqishëm se të gjithë shikuesit do të jenë të ndërgjegjshëm për pasojat që bartin veprimet e tilla dhe se nuk do të lejojnë që persona të pandërgjegjshëm të prishin imazhin e mirë që ka krijuar FFK-ja dhe vetë tifozeria jonë “Dardanët” në ndeshjet e këtilla.

Kosova sonte luan ndeshjen e parë kualifikuese ndaj Bullgarisë, për Kampionatin Evropian “EURO 2020”.

Ndeshja fillon në 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Të ngjashme