FFK mirëpret inicimin e procedurës disiplinore të FIFA-s ndaj Federatës së Serbisë

Prishtinë | 27 Nën 2022 | 16:38 | Nga Ekonomia Online

Federata Ndërkombëtare e Futbollit – FIFA ka reaguar shpejt, duke nisur një hetim ndaj Federatës së Futbollit të Serbisë pas shfaqjes së banerit me hartën e Kosovës me flamurin serb brenda saj.

Serbia kishte shfaqur këtë flamur me mesazhe urrejtje dhe luftënxitëse në zhveshtoren e përfaqësueses së tyre dhe në stadium, në ndeshjen ndërmjet Brazilit dhe Serbisë, në kuadër të Kupës së Botës në Katar.

Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) shkruan se kanë marrë konfirmimin për pranimin e ankesës së tyre dhe njëherësh kanë marrë edhe vlerësimin e tyre të lartë për FFK-në, që përkushtohet për ruajtjen e integritetit e reputacionit të futbollit dhe që ankesa e FFK-së tregon përkushtimin e tyre në mbrojtjen e vlerave dhe parimeve të cilat i afirmon FIFA-s.

FFK gjithashtu shkruan se ata do të jenë të gatshëm të bashkëpunojnë me FIFA-n që sa më shpejtë të zbardhet ky rast.

“Ne do të vazhdojmë të jemi në kontakt me organet përkatëse të FIFA-s për çdo informatë ose dokument shtese nëse kanë nevojë lidhur me hetimin e këtij rasti”.

“Po ashtu, si FFK do jemi çdoherë të gatshëm të ruajmë dinjitetin e futbollit dhe reputacionin e Kosovës, duke reaguar dhe vepruar konform mekanizmave të FIFA-së dhe UEFA-s, në të cilat bëjmë pjesë”.

Të ngjashme