FFK: Nuk ka pasur përplasje fizike mes Ademit e Govorit, por “një debat i zakonshëm pune”

Prishtinë | 16 Mar 2022 | 14:05 | Nga Ekonomia Online

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka bërë një sqarim në faqen e saj zyrtare, pas raportimeve në medie se ka ndodhur një rrahje ndërmjet kryetarit të FFK-së, Agim Ademi, dhe punëtorit të FFK-së, Artan Govori.

Policia e Kosovës kishte thënë se Govori është duke u intervistuar në lidhje me rastin.

Por, FFK-ja ka reaguar duke thënë se detyrohet t’i përgënjeshtrojë “raportimet e pavërteta”.

“Federata e Futbollit e Kosovës sqaron opinionin lidhur me raportimet e mediave për kinse sulm fizik të presidentit Agim Ademi ndaj njërit prej punëtorëve të administratës, Artan Govori brenda selisë së FFK-së. FFK edhe njëherë shpreh indinjatën e saj dhe detyrohet të përgënjeshtrojë raportimet e tilla të pavërteta. Në selinë e FFK-së nuk ka ndodhur kurrfarë sulmi fizik, siç raportohet në media, por thjesht ka qenë një debat i zakonshëm për natyrat e punës brenda federatës. Janë stafi i FFK-së dhe dëshmitarë tjerë, të cilët kanë qenë të pranishëm në momentet kur aludohet se ka pasur sulm fizik, e që në fakt ka qenë vetëm një debat. Raportimet e tilla janë në vazhdën e inskenimeve, presioneve e shantazheve që po bëhen nga persona që nuk kanë aspak të bëjnë me futbollin dhe që synojnë që nëpërmjet formave të tilla të vijnë deri te kapja e këtij institucioni. Sidoqoftë, FFK si institucion kredibil do të vazhdojë rrugëtimin e saj përkundër presioneve të tilla, me qëllimin e vetëm për progres të futbollit kosovar dhe që t’i mbajë larg këtij institucioni dhe larg futbollit njerëzit e grupeve të interesit”, thuhet në njoftimin e FFK-së.

Këto zhvillime në Federatën e Futbollit të Kosovës kanë ndodhur pak kohë para se të mbahen zgjedhjet për të parin e FFK-së.

Data është caktuar të jetë 6 prilli.

Ademi synon ta fitojë mandatin e dytë në krye të FFK-së, kurse kandidat i tij do të jetë Gramoz Vokrri, i biri i legjendës, Fadil Vokrri.

Të ngjashme