FIBA nuk ndryshon datat për ndeshjet kualifikuese të Kosovës

Prishtinë | 25 Qer 2018 | 18:18 | Nga

Përfaqësuesja e Kosovës do t’i luajë dy ndeshjet kualifikuese për Botërorin “Kina 2019”, sipas orarit të paraparë.

Kosova më 28 qershor do të përballet me Hungarinë, kurse më 1 korrik do të ballafaqohet me Poloninë. Të dyja ndeshjet Kosova do t’i luajë me fillim nga ora 20:30 në palestrën e vogël të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë.

Pas ngjarjes tragjike që ka ndodhur mëngjesin e së shtunës, ku e ka humbur jetën basketbollisti, Gazmend Sinani dhe janë lënduar tre basketbollistë të tjerë, Fisnik e Granit Rugova, Altin Morina dhe fizioterapeuti, Kujtim Shala, Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) kishte kërkuar në FIBA që ndeshjet të moszhvillohen.

“Prej ditës së shtunë jemi në kontakt të vazhdueshëm me zyrtarët më të lartë të FIBA-s duke e shikuar mundësinë për moszhvillimin e dy ndeshjeve, e që ishte kërkesa jonë e vetme, për shkak se ende jemi në gjendje shok pas gjithë asaj që na ka ndodhur dy ditë më parë. Mirëpo sot FIBA na ka informuar zyrtarisht se ndeshjet duhet të zhvillohen sipas programit të paraparë për shkak se nuk ka termine të tjera në dispozicion, sepse lëviz orari i kualifikimeve për Kupën e Botës ‘Kina 2019’. Po ashtu për shkak të të drejtave televizive, kontratave me sponsorë dhe obligimeve që janë ndërmarrë, FIBA nuk ka mundur t’i shtyjë ndeshjet”, ka thënë Arben Fetahu, kryetari i FBK-së.

FBK për këto dy ndeshje ka vendosur që hyrja të jetë pa pagesë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme