FIFA do të krijojë fond për të përkrahur komunitetin e futbollit

Prishtinë | 31 Mar 2020 | 16:36 | Nga Ekonomia Online

Federata Ndërkombëtare e Futbollit (FIFA) do të krijojë një fond përmes të cilit do të përkrah garat dhe lojtarët që kanë hasur vështirësi financiare për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Këtë e ka bërë të ditur të martën një zëdhënës i FIFA-s, raporton BBC.

“Komuniteti i futbollit në gjithë botën po përballet me probleme serioze financiare për shkak të përhapjes së koronavirusit. Te disa kriza është më e madhe e te disa më e vogël”, ka thënë një zëdhënës i FIFA-s.

Tashmë është raportuar për klubin e parë të bankrotuar për shkak të krizës financiare që ka ardhur edhe si pasojë e pandemisë. Bëhet fjalë për një klub të njohur sllovak.

“FIFA është në situatë stabile financiare dhe është detyrë e jona që të ndihmojnë komunitetin e futbollit në këtë moment të vështirë. Mund të konfirmojmë që FIFA po shqyrton mundësitë për të ofruar përkrahje për komunitetin e futbollit në gjithë botën. Kjo do të ndodhë pasi të bëjmë një vlerësim gjithëpërfshirës të ndikimit financiar që do të ketë kjo pandemi në futboll”, ka shtuar zëdhënësi i FIFA.

Të ngjashme