FIFA fsheh mosshitjen e biletave për botërorin e femrave

Prishtinë | 12 Qer 2019 | 13:10 | Nga Ekonomia Online

Përpjekja e FIFA-s për të nxitur shitjen e biletave për Kampionatin Botëror të femrave, që po mbahet në Francë, nuk ka shkuar siç ishte planifikuar.

FIFA muaj më parë dha përshtypjen se biletat për këtë turne pothuajse ishin shitur, kur bëri paralajmërimin: “Ju ende mund të blini bileta për disa ndeshje”. Por, me ndeshjet e para të botërorit që po zhvillohen me tribuna pothuajse të zbrazëta, FIFA korrigjoi veten të martën pas “informacioneve mashtruese”.

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino javën e shkuar në Paris tha se biletat për 20 prej 52 ndeshjeve të botërorit të femrave ishin shitur. Por FIFA e rishikoi këtë numër dhe të martën njoftoi se biletat janë shitur për vetëm 14 ndeshje, që do të thotë se 70 për qind të stadiumeve nuk do të jenë të mbushura gjatë kësaj ngjarjeje.

Prej nëntë ndeshjeve të zhvilluara gjatë katër ditëve të para të turneut, vetëm dy kishin kapacitet të plotë shikuesish në tribuna – ndeshja që Franca e fitoi ndaj Koresë së Jugut në Paris dhe ajo kur Brazili u përball me Xhamajkën në Grenoble.

Disa tifozë kanë pranuar se nuk kanë blerë bileta, pasi FIFA kishte lënë të kuptohet se do të kishte vështirësi për t’u gjetur ato. Tani ata tifozë nuk e kuptojnë për çfarë arsyesh FIFA ka gënjyer derisa Shtëpia Botërore e Futbollit nuk ka dhënë sqarim në lidhje me njoftimin e 7 majit.

“Isha i impresionuar dhe i entuziazmuar kur pashë njoftimin se shumica e biletave për ndeshje ishin shitur”, tha përkrahësi i Anglisë, Sean Cottrell. “Gjithashtu isha i zhgënjyer, sepse po planifikoja të merrja familjen time për të parë disa prej ndeshjeve. Kështu, planet tona ndryshuan kur pamë se nuk do të ishim në gjendje të merrnim bileta. Por tani e kuptuam se FIFA nuk paska treguar të vërtetën dhe me erdhi shumë keq për këtë”.

Cottrell po planifikon të jetë i pranishëm në stadium prej ndeshjes tjetër të Anglisë, të cilën e luan të premten kundër Argjentinës në kuadër të Grupit D. Por problemi është se ndeshja zhvillohet në Le Havre, qytet në të cilin nuk ka asnjë fluturim prej vendeve të tjera të botës. Kështu që, të gjithë ata që duan ta shikojnë këtë ndeshje duhet të udhëtojnë me tren prej Parisit, udhëtim që zgjat rreth tri orë.

Tek ekipi i Anglisë kanë filluar të shqetësohen se në ndeshjen e radhës nuk do të kenë përkrahjen e tifozëve.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme