Fillimi i vështirë i “dardanëve” në kampionatin francez

Prishtinë | 21 Sht 2020 | 12:33 | Nga Ekonomia Online

Reimsi i parafundit e Dijoni i fundit. Skuadrat e futbollistëve kosovarë janë të vetmet pa fitore në edicionin 2020/2021 të Ligue 1 të Francës.

Për Reimsin luajnë Arbër Zeneli e Valon Berisha, kurse për Dijonin aktivizohet Bersant Celina. Të tre janë lojtarë të rëndësishëm te Kosova. Sidomos Zeneli e Berisha janë titullarë të padiskutueshëm.

Celina e Berisha për herë të parë po luajnë në kampionatin francez dhe fillimi, të paktën sa u takon rezultateve të skuadrave, është i vështirë.

Dijoni i ka humbur të gjitha katër ndeshjet e deritashme dhe është i fundit pa pikë. Të dielën pësoi 1:0 në udhëtim nga Strasbourgu. Celina startoi si sulmues i krahut të majtë dhe luajti deri në minutën e 85-të.

24-vjeçari është transferua te Dijoni javë më parë nga Swansea, ku humbi vendin. Te Dijoni të dielën luajti ndeshjen e dytë. Pritjet janë që Celina të ndihmojë ekipin për të gjetur fitoret.

“Ndonëse kemi pësuar humbje, jam deri diku i lumtur me mënyrën se si kemi luajtur. Jam i kënaqur me mënyrën se si kemi përdorur topin. Na ka munguar kjo në ndeshjet e kaluara. Mund të ndërtojmë ende në këtë. Kishim një pjesëlojë të mirë, por në të dytën ia lamë shumë topin kundërshtarit. Do të përmirësohemi nga ndeshja në ndeshje deri te pikët e para”, ka thënë trajneri i Dijonit, Stephane Jobard.

Të ngjashme