“Final 8” do të mbahet në Pejë nga 9 – 13 shkurt, organizatorët shpalosin detajet

Prishtinë | 05 Shk 2022 | 17:17 | Nga Ekonomia Online

Të shtunën në Hotel “Dukagjini” është organizuar konferenca për media lidhur me detajet e organizimit të Final 8 Kupës së Kosovës, që nga 9 deri më 13 Shkurt do të mbahet në Pejë, në nderim të Agim Llukës, i cili kontribuoi shumë për basketbollin pejan dhe kosovar.

Kryetari i KB “Peja”, Fatmir Gashi, është shprehur se, janë tri arsye që kanë dashur, që Kupa të organizohet në Pejë.

“Arsyeja kryesore është për nder të Agim Llukës, i cili ka dhënë kontribut të madh për Klubin e Pejës, por edhe basketbollin kosovar në përgjithësi. Do të mundohemi të organizojmë sa më mirë për kujtim të tij. Arsyeja e dytë është 30 vjetori i themelimit të klubit, si dhe na ka munguar një organizim i tillë në vitet e fundit në qytetin tonë dhe mendoj se është koha e duhur për ta organizuar”, është shprehur Gashi në konferencën media.

Sekretarja e Përgjithshme e Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), Elvira Dushku ka folur për punën që po bëhet për organizimin e Kupës.

“Federata e Basketbollit e Kosovës është e kënaqur me rrjedhën e organizimit të Kupës së Kosovës deri më tani. Siç dihet për këtë ngjarje janë duke punuar, dy grupe punuese, në njërën anë që udhëhiqet nga Alfa dhe Omega e FBK-së, Artina Hasani, Menaxhere e Eventeve dhe kompania e kontraktuar nga KB Peja për këtë event, Compact Solution, me në krye Luan Malokun. Jam e privilegjuar që sot e kam parë Albën, vajzën e Agim Llukës, që ka dhënë ndihmë në Universitetin e Prishtinës, aty ku kam luajtur. Ai ka bërë shumë për basketbollin e Pejës, por edhe të Kosovës në përgjithësi”, nënvizoi Dushku.

Në emër të familjes Lluka, ka folur Arba Lluka, vajza e Agim Llukës. “Në emrin tim personal dhe të familjes Lluka, një falënderim i veçantë shkon për Federatën e Basketbollit të Kosovës, si dhe Bordin Drejtues të KB Peja dhe të gjithë ata që kanë bërë për këtë organizim. Duke mos ja humbur sakrificat dhe angazhimin që ka dhënë për basketbollin e Kosovës dhe atë pejan në veçanti, do të jemi falënderues që keni kontribuar në organizimin e Kupës”.

Nga Compact Solution, ka folur Luan Maloku. “Është nder dhe privilegj i madh për të organizuar Kupën, duke marrë parasysh që Federata e Basketbollit e Kosovës është model për organizime. Do të mundohemi t’i përmbushim të gjitha kushtet e kërkuara nga KB Peja dhe FBK. Falënderoj të gjithë për besimin e dhënë ndaj kompanisë tonë, ku besoj do të jetë një spektakël i basketbollit”, nënvizoi Maloku.

Ndërsa, menaxherja e Eventeve në FBK, Artina Hasani, beson se organizimi i Kupës do të shkojë sipas planit. “Federata e Basketbollit e Kosovës gjithmonë ka qenë në ndihmë të klubeve për organizime. Besoj se kësaj radhe do të kemi më lehtë, pasi është kontraktuar kompania, me në krye Luan Malokun dhe e përgëzoj KB Pejën, që ka angazhuar një kompani me organizim, pasi edhe ne e kemi më lehtë në bashkëpunim, që gjithçka të shkojë sipas planit”.

Dushku dhe Gashi kanë bërë të ditur se sipas vendimit të Qeverisë do të lejohen 10 % e tifozëve, por FBK ka bërë kërkesë që të rritet në 30 %, gjithnjë duke respektuar masat anti Covid.

Maloku në fund shtoi se bileta për të gjitha ndeshjet, nga dita e parë deri në fund do të kushtojë 15 euro, për një ndeshje kushton 5 euro, ndërsa për tifozët udhëtues të klubeve do të kushtojë 3 euro. Çdo person që dëshiron biletë do të tregojë dëshminë e vaksinimit dhe me emër do të vendoset në ulëse.

Asnjë person i pavaksinuar nuk do të lejohet në palestër, kurse për të gjithë është e obliguar vendosja e maskave.

FINAL 8

Meshkujt
Ndeshjet çerekfinale do të zhvillohen më 9/10 Shkurt 2022 ku takohen:
Golden Eagle Ylli – Drita (Grupi A)
Trepça – Rahoveci (Grupi B)
Peja – Sigal Prishtina (Grupi C)
Prizreni 16 – Bashkimi (Grupi D)

Në ndeshjet gjysmëfinale takohen fitueset e Grupit A-D dhe fitueset e Grupit B-C.

Femrat
Gjysmëfinalet
Penza – Bashkimi
Prishtina – Trepça

Liga e Parë – Meshkujt
Istogu – Vëllaznimi
NEW Basket – Vushtrria

Të ngjashme