Finalja e Ligës së Evropës sjell luftën mes Chelseat dhe Arsenalit

Prishtinë | 29 Maj 2019 | 09:45 | Nga Ekonomia Online

Arsenali dhe Chelsea takohen sonte në orën 21:00 në finale të Ligës së Evropës, në një ndeshje që mund t’ua definojë sezonin, t’ua formësojë verën dhe t’ia caktojë të ardhmet.

Fitorja për Arsenalin në sezonin debutues të Unai Emeryt do t’ia siguronte atyre një vend në sezonin e ardhshëm të Ligës së Kampionëve, pasi që “Topçinjtë” e humbën këtë mundësi përmes top katërshes në Premierligë.

Chelsea tashmë e ka siguruar një vend në Ligën e Kampionëve, mirëpo ata mund të detyrohen t’i thonë lamtumirë Eden Hazardi këtë verë. Për më tepër, edhe e ardhmja e trajnerit Maurizio Sarri është në dyshim.

Por, për cilën skuadër ka më shumë rëndësi fitorja?

Gjykimi përfundimtar i sezonit të parë të Emeryt

Emery e ka theksuar se synimi i tij për sezonin e parë ishte sigurimi i një vendi në top katërshe të Premierligës. Arsenali nuk e arriti këtë, për shkak të ecurisë së dobët në fund të sezonit, kur e fituan vetëm një pikë nga katër ndeshje.

Megjithatë, shpërblimin për arritjen në top katërshe të Premierligës, Arsenali mund ta fitojë në një mënyrë tjetër. Fituesi i Ligës së Evropës e ka një vend të sigurt në sezonin e ardhshëm të Ligës së Kampionëve. Për më tepër, me triumf në finalen që zhvillohet sonte, “Topçinjtë” do ta shtonin edhe një trofe në kabinetin e tyre.

Fitorja do të siguronte se sezoni i tyre do të mbahet mend si sukses, ndoshta edhe më shumë sesa që pritej. Humbja do të bënte që kritikat mbi skuadrën të intensifikoheshin jashtëzakonisht shumë, për shkak se do të ishte viti i tretë radhazi pa futboll të Ligës së Kampionëve.

Përtej prestigjit të të luajturit në Ligën e Kampionëve, edhe planet për shpenzime gjatë verës do të ndikohen nga rezultati në Baku. Liga e Kampionëve do ta rriste buxhetin dhe do t’i jepte atyre potencial për të tërhequr lojtarë të nivelit më të lartë.

Çfarë do të thotë fitorja për Sarrin?

Sarri ka qenë trajner për 29 vjet. Ai i ka drejtuar 19 klube të ndryshme, mirëpo trofetë e mëdha gjithmonë i kanë ikur nga duart.

Pasi që spekulohet se Sarri do të largohet nga Chelsea dhe do të emërohet në pozitën e trajnerit të Juventusit, ai e ka mundësinë që ta përfundojë sezonin e vetëm në drejtim të klubit londinez me trofeun e tij të parë të madhe.

Fitorja mund t’ia japë lamtumirën e përsosur edhe Hazardin, i cili pritet të transferohet në Real Madrid këtë verë. Hazardi insiston se asgjë nuk është finalizuar sa i përket të ardhmes së tij, por trofeu në Baku do të ishte një lamtumirë e bukur për të.

“Nëse është ndeshja e fundit, shpresoj ta sjellë një trofe. A do të ishte lamtumira e përsosur? Po”, ka thënë Hazard. 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme