Finalja e Ligës së Kampionëve, 4 mijë euro gjumi afër stadiumit, 10 mijë euro për një biletë

Prishtinë | 29 Maj 2019 | 14:51 | Nga Ekonomia Online

Çmimet në të gjithë Madridin janë ngritur në qiell përpara finales të së shtunës në Ligën e Kampionëve mes Liverpoolit dhe Tottenhamit në ‘Wanda Metropolitano’.

Kërkesa për dhoma hoteliere është rritur me pothuajse 90 përqind krahasuar me normën për këtë periudhë të vitit, ndërkohë që çmimet janë rritur deri në 200 përqind.

Statistikat e raportuara nga Shoqata e Hoteleve të Biznesit të Madridit ilustrohen më së miri nga një apartament për katër persona të listuar në Airbnb, e cila është e listuar për 4,624 euro për një natë, për shkak të vendndodhjes së tij të përshtatshme pranë stadiumit, transmeton lajmi.net.


Praktikisht nuk ka asgjë në qytet për më pak se 150 euro – madje edhe për një dhomë çifte – por çmimi mesatar për një dhomë me banjo është rreth 500 euro.


Disa ide më origjinale gjithashtu janë postuar në internet, me shumë reklama që sugjerojnë për mysafirët “të sjellin një dyshek të rehatshëm dhe të flenë pranë Wanda për 70 euro në natë”. Megjithë çmimet, mbi 65 për qind e dhomave të disponueshme në Airbnb janë rezervuar.

Nuk janë vetëm apartamentet me çmime astronomike, por edhe hotelet. Çmimet në kryeqytetin spanjoll variojnë nga 150 euro në mbi 10,000 euro në natë, duke përfaqësuar një rritje prej 300 për qind në normë.

Asgjë nuk ndryshon me fluturimet. Bileta më e lirë për në Madrid nga Londra është 370 euro, ndërsa nga Liverpool 400 euro.


Pastaj vijnë shitjet e biletave. Shitja e tyre në tregun e zi është gjithnjë i përhapur, pavarësisht përpjekjeve të organeve më të larta për ta parandaluar këtë gjë.

Biletat në tregun e zi po sillen rreth 10 mijë për copë, dhe tifozët nuk po hezitojnë të paguajnë një shumë kaq të madhe. 

Të ngjashme