Finalja e Ligës së Kampionëve zhvendoset nga Stambolli në Porto

Prishtinë | 13 Maj 2021 | 15:09 | Nga Ekonomia Online

Finalja e Ligës së Kampionëve mes Chelseat dhe Manchester Cityt do të zhvillohet në Portugali dhe në stadium do të lejohen të jenë të pranishëm nga 6 mijë tifozë prej secilës skuadër.

Finalja e 29-të majit u zhvendos nga Turqia në qytetin portugez, Porto, për shkak të kufizimeve të udhëtimit si pasojë e koronavirusit, raporton Gazeta Express.

Në finalen e Ligës së Kampionëve përballen dy klube angleze, Chelsea kundër Manchester City, më 29 maj.

Portugalia është në listën e gjelbër të Anglisë, prandaj lojtarët dhe tifozët mund të shkojnë atje pa pasur nevojë të futen në karantinë kur të kthehen në shtëpi.

Ky do të jetë viti i dytë radhazi që finalja e Ligës së Kampionëve zhvillohet në Portugali.

“Privimi i tifozëve nga mundësia për ta shikuar ndeshjen nga stadiumi nuk ishte opsion dhe unë jam i lumtur që është gjetur kompromis”, tha presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin.

UEFA ende nuk e ka caktuar numrin e saktë të tifozëve që do të lejohen në stadiumin Dragao në Porto për këtë ndeshje finale, por tashmë është e qartë se 12 mijë adhurues do të jenë të pranishëm nga të dy skuadrat.

Të ngjashme