Finlanda në pritje të kualifikimit historik

Prishtinë | 15 Nën 2019 | 09:00 | Nga Ekonomia Online

Temperaturat po bien dhe ditët po bëhen më të shkurtra, ndërsa dimri i ashpër po i afrohet Finlandës.

Pritjet rreth përfaqësueses së vendit janë duke u rritur, si kurrë më parë.

Të premten (sot) Finlanda mund të sigurojë për herë të parë në histori kualifikimin në një turne të madh të futbollit. E gjitha që nevojitet është një fitore në shtëpi ndaj Lihtenshtajnit, një nga përfaqësueset më të dobëta në botë, në Helsinki, dhe finlandezët do të kenë vendin në Kampionatin Evropian të vitit të ardhshëm, shkruan sot Koha Ditore.

Pas shumë zhgënjimeve në të kaluarën, është një ditë që shumë në shtetin skandinav, me 5.5 milionë banorë – që më mirë njihet për hokej, rally dhe hedhje të shtizës – nuk kanë besuar se do të vijë.

Është një gjë që mund të dërgojë në nivel tjetër futbollin në këtë vend dhe të ndryshojë mentalitetin e gjithë vendit.

“Ka gjithmonë skeptikë në shumë gjëra që bëjmë, pavarësisht nëse në muzikë apo çfarëdo tjetër”, ka thënë ish-reprezentuesi i Finlandës, Aki Riihilahti, që tash është shef ekzekutiv i kampionit të Finlandës, HJK Helsinki. “Natyra finlandeze është se vetëm kur ka një njohje të jashtme të arritjes, atëherë shkojmë për të përkrahur. Kështu që kjo ka më rëndësi mendërisht sesa faktikisht”.

Finlanda ka pasur skuadra më të mira në të kaluarën, së paku në letër. Kishte lojtarë me renome si Jari Litmanen, një organizator i Ajaxit dhe Barcelonës e Sami Hyppia, që ishte një shtyllë e mbrojtjes së Liverpoolit. Por kualifikimi në Kupën e Botës apo në Kampionat Evropian nuk ka qenë i mundur megjithëse është provuar më tepër se 80 vjet.

Finlanda, disi në turp, mbetet vendi i vetëm skandinav që kurrë nuk është kualifikuar në një turne të madh të futbollit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme