Fitore Aliu ia siguron suksesin historik skuadrës gjermane

Prishtinë | 23 Pri 2018 | 17:30 | Nga

Hendbollistet e kombëtares së Kosovës po vazhdojnë të jenë vendimtare për skuadrat e tyre. Është Fitore Aliu që në fundjavë ka shënuar gol vendimtar për skuadrën e saj, SG Steinbach/Kappelwindeck.

Falë golit të Fitores kjo skuadër i është afruar suksesit më të madh që prej themelimit. Është fare pranë inkuadrimit në Bundesliga 3, nivel në të cilin nuk ka garuar asnjëherë. SG Steinbach/Kappelwindeck të shtunën u takua në udhëtim me HSG Strohgau. Fitoi me rezultatin 29:28, falë golit të Fitores në sekondën e fundit. Ajo realizoi gol shumë të bukur nga plot 12 metra largësi. Gjithsej i pati katër gola në këtë ndeshje.

“Kur ishin edhe 10 sekonda deri në fund, ishim duke fituar me rezultat 28:27. Por më pas pranuam gol dhe rezultati u barazua. I kishim vetëm edhe pesë sekonda për të siguruar fitore. Topi menjëherë erdhi te unë dhe unë menjëherë kam goditur në drejtim të portës. Kur topi është futur në portë , është kryer loja. Kemi fituar me rezultatin 29:28. E kemi një lojë të vështirë të dielen e ardhshme, por besoj se do të fitojmë pasi jemi vendas dhe kemi tifozë shumë të mirë. Poashtu në udhëtim kemi fituar ndaj kësaj skuadre. Nëse e fitojmë këtë ndeshje, kalojmë në Bundesliga 3”, ka thënë Fitore Aliu.

“Liga e tretë është shumë e fortë, por shpresoj që do të japim maksimumin dhe do të bëjmë një edicion sa më të mirë. Poashtu shpresoj që në tabelë do të jemi sa më lartë. Kjo do të jetë hera e parë që skuadra do të luajë në Bundesliga 3, por natyrisht na pret edhe një ndeshje e rëndësishme”, ka shtuar Fitorja, që është prej lojtareve kryesore edhe te Kosova.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme