Fitorja në udhëtim, sfidë e madhe për “dardanët”

Prishtinë | 05 Qer 2019 | 09:04 | Nga Ekonomia Online

Kosova është në seri të gjatë të rezultateve pozitive. “Dardanët” nuk kanë pësuar disfatë në 12 ndeshjet e fundit, ndërsa seria ka nisur më 13 nëntor të vitit 2017. Prej atëherë, përfaqësuesja e Kosovës rrallë është sfiduar seriozisht si mysafire, ndërsa ka vetëm një fitore. Fitoret synohen në dy ndeshjet e ardhshme kualifikuese, ndërsa pritet që Kosova për herë të parë, pasi ka nisur serinë pozitive, të sfidohet seriozisht si mysafire.

Kosova të premten luan ndaj Malit të Zi në Podgoricë, ndërsa të hënën tjetër takohet me Bullgarinë në Sofje. Dy ndeshjet janë kualifikuese për Evropianin e vitit 2020, shkruan sot Koha Ditore.

Pas nëntë humbjeve rresht në kualifikimet për Botërorin 2018, Kosova nisi me rezultate pozitive në miqësoren në shtëpi ndaj Letonisë, më 13 nëntor të vitit 2017. Më pas fitoi miqësoret në Francë me Madagaskarin dhe Burkina Fason dhe atë me Shqipërinë të luajtur në Zvicër. Pra, të tri ndeshjet u luajtën në terren neutral.

Në hapje të fushatës të Ligës së Kombeve të UEFA-s, Kosova barazoi pa gola me Azerbajxhanin në Baku, ndërsa më pas mposhti në shtëpi Ishujt Faroe dhe Maltën. Barazim tjetër në udhëtim (1:1) kishte me Ishujt Faroe, para se të fitonte po në udhëtim ndaj Maltës me shifrat 5:0. Në fund e mposhti edhe Azerbajxhanin në shtëpi me 4:0. Në mars, barazoi 2:2 me Danimarkën në miqësore dhe 1:1 me Bullgarinë në hapje të eliminatoreve për Evropian. Të dy këto ndeshje u luajtën në Prishtinë dhe përfaqësuesja pati përkrahje të madhe të tifozëve, si në ndeshjet e Ligës së Kombeve.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme