Fjolla Ajeti: Shpresojmë në paraqitje të mira

Prishtinë | 01 Gus 2019 | 12:57 | Nga Ekonomia Online

Ditët po numërohen, derisa Kampionati Evropian, Divizioni B, për femra U20 po afrohet.

Basketbollistet e Kosovës po përgatiten maksimalisht edhe pse do ta kenë shumë vështirë, pasi ndodhen në një grup shumë të vështirë, ku do të ballafaqohen me Turqinë dhe Rumaninë.

Megjithatë, lojtaret e Kosovës shpresojnë të fitojnë përvojë dhe me ndihmën e publikut të zhvillojnë ndeshje të mira.

Basketbollistja e Kosovës, Fjolla Ajeti, ka folur për përgatitjet deri më tani që i kanë zhvilluar. “Jemi munduar të stërvitemi maksimalisht për këtë Evropian që zhvillohet në shtëpinë tonë. Do të mundohemi të bëjmë paraqitje sa më të mira. Shpresojmë se publiku do të na përkrah në takimet që kemi”, ka thënë Ajeti për faqen zyrtare të FBK-së.

Ajo ka folur edhe për rëndësinë që ka ky Evropian. “Për ne është shumë i rëndësishëm sepse është hera e parë që marrim pjesë në një ngjarje kaq madhore me U20. Debutojmë pikërisht në shtëpinë tonë, prandaj ndihma e publikut është shumë e rëndësishme”, shtoi tutje Ajeti.

Në fund foli edhe për kundërshtarët e Kosovës në grupe. “Kemi përballë dy shtete shumë të fuqishme. Ne synojmë të fitojmë përvojë, sepse jemi vasha të reja, por angazhimi ynë në fushë nuk do të mungojë”, përfundoi Fjolla Ajeti.

Kosova më 3 gusht ndeshet me Turqinë, derisa dy ditë më pas me Rumaninë.

Kjo është hera e parë që një Evropian i Divizionit B, zhvillohet në Kosovë, ku do të marrin pjesë 12 shtete, që janë të ndara në katër grupe me nga tri ekipe.

Të ngjashme