Flamuri i Kosovës do të ngrihet në majën e Everestit

Prishtinë | 07 Shk 2017 | 11:18 | Nga

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka pritur një grup të alpinistëve kosovarë, të cilët në muajt e ardhshëm do të ngjiten në majën e Everestit.

Presidenti Thaçi ka theksuar se përmes sukseseve në shumë disiplina sportive, kosovarët janë duke forcuar identitetin shtetëror dhe duke e promovuar Kosovën në botë.

“Jam i vetëdijshëm për rreziqet që paraqet kjo ekspeditë dhe do t’iu mbështesim në çdo hap”, ka shtuar presidenti Thaçi.

Nga ana tjetër, udhëheqësi i grupit të alpinistëve, Nazmi Hasanramaj, ka thënë se kjo ekspeditë i kushtohet shtetit të Kosovës dhe për porosi ka paqen dhe promovimin e shtetësisë.

“Qëllimi final është ngritja e flamurit të Kosovës në Everest, që sot na dhuruat”, ka shtuar ai.

Grupi i përbërë nga Nazmi Hasanramnaj, Qëndrim Sopi, Arineta Mula dhe Haki Hasanramaj janë duke i vazhduar përgatitjet për ngjitjen e vargmaleve më të larta në botë, të cilat janë mbi 8800 metra të larta.

“Tash e tri vjet jemi duke u përgatitur. Përgatitjet psikofizike jemi duke i vazhduar intensivisht, ndërsa profesionalisht dhe shpirtërisht jemi përgatitur për të gjitha sfidat, rreziqet dhe sakrificat e mundshme që mund të na presin atje”, ka thënë Hasanramaj.

Presidenti Thaçi e ka vlerësuar lart guximin e alpinistëve për këtë iniciativë dhe rrugëtim përplot sakrificë.

“Pushtimi i majave të Everestit dhe ngritja e flamurit të Kosovës nga ju, do të jetë një lajm i jashtëzakonshëm për republikën tonë”, është shprehur presidenti Thaçi.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme