Flamurtari sqaron largimin e Sokolit: Deshi ta udhëheqë edhe politikën

Prishtinë | 20 Dhj 2019 | 11:59 | Nga Ekonomia Online

Flamurtari ka sqaruar, përmes një komunikate, se trajneri kosovar Bylbyl Sokoli është larguar nga posti që e mori vetëm para një jave, pasi që, sipas klubit, ai tentoi ta udhëheqë edhe politikën dhe organizimin e brendshëm të klubit.

Më 13 dhjetor, Flamurtari e prezantoi Bylbyl Sokolin si trajner të ri, duke ia besuar atij postin e trajnerit për gjashtë muajt e ardhshëm. Në konferencën për shtyp, Sokoli tha se do të bëjë ndryshime për ta siguruar mbijetesën e Flamurtarit në Ipko Superligës.

Megjithatë, projekti i tij ishte më afatshkurtër sesa që ishte planifikuar fillimisht, pasi që dy palët i ndanë rrugët të enjten në mbrëmje dhe tanimë Sokoli nuk do ta drejtojë skuadrën e Flamurtarit. Këtë lajm e bëri të ditur klubi edhe përmes një deklarate për media.

“Edhe pse dëshira e KF Flamurtarit për ta pasur në krye të ekipit Z. Bylbyl Sokolin ishte e madhe, gjërat në relacione të ndërsjella shkuan në kahjen e cila është e papranueshme për klubin tonë”, thuhet në komunikatën e klubit.

“Zotëri Sokoli është angazhuar për të qenë shefi i shtabit teknik me të gjitha ingerencat që përfshin ky post dhe me duart e lira dhe pruarjet e lojtarëve të ri në klub, por dëshira e tij që ta udhëheqë edhe politikën dhe organizimin e brendshëm, si dhe zhagitja e nënshkrimit të kontratës me klubin, me parametrat financiare të dakorduara nga të dyja palët, bëri që marrëveshja të ndërpritet”.

Sokoli ishte trajner në Superligë edhe më herët këtë sezon, kur e mori drejtimin e Prishtinës. Ai u largua nga klubi më i trofeshëm në Kosovë vetëm dy javë pasi e zëvendësoi Mirel Josën, duke thënë se po e bën për shkaqe shëndetësore.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme