Flamurtari synon fitore ndaj Dardanës për të mbajtur hapin me kreun

Prishtinë | 17 Pri 2021 | 11:35 | Nga Ekonomia Online

Skuadra e Flamurtarit do ta kërkojë fitoren edhe kundër Dardanës, ndeshje kjo që zhvillohet në Prishtinë dhe i takon xhiros së 23-të të Ligës së Parë – Grupi B.

Ky duel luhet të shtunën prej orës 15:00 dhe do të transmetohet në KTV.

Flamurtari është i dyti në tabelë me 37 pikë të mbledhura, tri më pak se Ulpiana që është lidere dhe të dielën luan në udhëtim ndaj Ferizajt. Ndërkohë, Dardana renditet e gjashta me 29 pikë, sa i ka edhe Ramiz Sadiku në pozitën e pestë.

Flamurtari në këtë takim futet pas një serie prej katër ndeshjeve pa humbje, ku ka regjistruar tri fitore dhe një barazim, derisa Dardana ka tri humbje e një fitore.

Të shtunën në kuadër të këtij grupi do të luhen edhe dy ndeshje të tjetra, 2 Korriku – Vitia dhe KEK-u – Ramiz Sadiku, derisa të dielën krahas duelit në Ferizaj do të luhet edhe ndeshja mes Vllaznisë së Pozheranit dhe Kikës.

Edhe ndeshjet e Grupit A të Ligës së Parë do të luhen të shtunën dhe të dielën. Të shtunën zhvillohen dy ndeshje, Istogu – Liria dhe Drenasi – Trepça derisa të dielën do të luhen këto takime: Onix – Malisheva, Vushtrria – Vëllaznimi, A&N – Dukagjini.

Në këtë grup lider është Dukagjini me 46 pikë, i përcjellë nga Malisheva me një më pak, 45. Të gjitha takimet nisin në orën 15:00.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme