Foden dhe Greenwood do të largohen nga kampi i Anglisë pasi thyen rregullat

Prishtinë | 07 Sht 2020 | 17:08 | Nga Ekonomia Online

Phil Foden dhe Mason Greenwood do të largohen nga kampi i Anglisë pasi kanë thyer rregullat anti-COVID në Islandë, ka thënë seleksionuesi i Anglisë, Gareth Southgate.

Federata e Futbollit të Anglisë është duke hetuar thyerjet që kanë ndodhur të shtunën pas fitores 1:0 të Anglisë në Islandë në Ligën e Kombeve.

Foden 20-vjeçar dhe Greenwood 18-vjeçar kanë debutuar me ekipin e Anglisë. Southgate i ka përshkruar të dy si “naiv” dhe ka thënë se kanë kërkuar falje.

“Dy nga ta kanë shkelur udhëzimet për COVID-19. Ne kemi vendosur shumë shpejt që ata të mos bashkëveprojnë me pjesën tjetër të skuadrës dhe mos të jenë në gjendje të stërvitin. Qartë se kanë qenë naiv. Do të merremi me këtë çështje. Unë e di moshën e tyre, por gjithë bota po përballet me këtë pandemi. Tash duhet të udhëtojnë veçmas për në Angli”, ka thënë Southgate.

Të ngjashme